Me 11 prill e vitit 1872 lindi poeti, publicisti dhe patrioti shqiptar Aleksandër Stavër Drenova.
Home » Studenti Online » Dega Gjuhe-Letersi » 11 prill 1872 / 145 vjet nga lindja e autorit te Himnit tone kombetar

11 prill 1872 / 145 vjet nga lindja e autorit te Himnit tone kombetar

Me 11 prill e vitit 1872 lindi poeti, publicisti dhe patrioti shqiptar Aleksandër Stavër Drenova.

 

Në vitin 1907, poeti rilindas Asdreni (Aleksandër Stavër Drenova) përshtati fjalët e poezisë “Betimi mbi flamur” për këngën “Himni i flamurit”. Më vonë  kënga u bë himni i shoqërisë së shqiptarëve në Bukuresht të Rumanisë. Në vitin 1909, një tjetër patriot i shquar, Hil Mosi, e solli atë në Korçë, ku u ekzekutua nga banda muzikore “Liria”. Më 28 Nëntor 1912, grupi koral i qytetit të Korçës e këndoi atë në Vlorë në çastin e ngritjes së flamurit. Që nga ajo ditë kënga u bë simbol dhe u zyrtarizua si himni kombëtar.

 

Çdo  shtet përfaqëson identitetin e tij kombëtar me disa simbole, të cilat janë: flamuri me simbolin e tij, Himni kombëtar, gjuha. Himni kombëtar këndohet në çdo ceremoni që zhvillohet për të përfaqësuar vendin, p.sh., në stadium përpara fillimit të një ndeshjeje, në një ceremoni zyrtare, çdo të hënë në shkollat tona etj. Himni kombëtar duhet të këndohet gjithmonë në këmbë duke mbajtur drejtqëndrim, në shenjë respekti.

Ky është Himni i Flamurit Kombëtar:

Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk friksohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t`i mbajmë
Të mbrojmë atdhenë më çdo kënd,
Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
Këtu armiqtë s`kanë vend.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ai do të kujtohet
Mbi dhe, nën dhe si një shenjtor!