
Martin Camaj lindi më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit në Alpet e veriut. Camaj mori arsim klasik në kolegjin jezuit saverian në Shkodër dhe ndoqi studimet në Universitetin e Beogradit. Prej aty, shkoi për studime pasuniversitare në Itali, ku dha gjuhë shqipe dhe kreu studimet në gjuhësi në Universitetin e Romës më 1960. Nga 1970 deri më 1990 ishte profesor i albanologjisë në Universitetin e Mynihut dhe jetoi në fshatin malor Lenggries në Bavarinë e Epërme derisa vdiq më 12 mars 1992.
Kërkimet universitare të Camajt janë përqëndruar në gjuhën shqipe e në dialektet e saj, sidomos në ato të Italisë jugore. Është autori i studimeve gjuhësore për dialektet arbëreshe të Greçit (ital. Greci) dhe Fallkunarës (ital. Falconara Albanese) dhe i Albanische Wortbildung, Visbaden 1966 (Fjalëformimi në gjuhën shqipe), Lehrbuch der albanischen Sprache, Visbaden 1969 (Doracak për gjuhën shqipe) dhe Albanian grammar with exercises, chrestomathy and glossary, Visbaden 1984 (Gramatikë e gjuhës shqipe me ushtrime, krestomaci dhe fjalorth). Doracaku i fundit u jep mundësi studentëve anglishtfolës të depërtojnë në gjuhën letrare shqipe si dhe në dialektin gegë të autorit. Camaj ka qenë aktiv edhe në fushën e folklorit.
Krijimtaria letrare e Camajt gjatë një periudhe dyzetepesëvjeçare kalon nëpër disa faza zhvillimi. Ajo nis me poezi, por më pas iu kushtua për herë e më tepër prozës.
Gjatë një periudhe dyzetepesëvjeçare kalon nëpër disa faza zhvillimi. Ajo nis me poezi, gjini së cilës i mbeti besnik gjithë jetën, por më pas iu kushtua për herë e më tepër prozës. Vëllimi i parë me vargje klasike, Nji fyell ndër male, Prishtinë 1953, dhe Kânga e vërrinit, Prishtinë 1954, frymëzoheshin nga malet e vendlindjes, për të cilat, me gjithë kohën e gjatë në mërgim dhe pamundësinë për t’u kthyer, dashuria nuk i rreshti kurrë. Pas tyre kemi librin Djella, Romë 1958, roman i gërshetuar me vargje, për dashurinë e një mësuesi me një vajzë nga fusha. Përmbledhjet poetike Legjenda, Romë 1964, dhe Lirika mes dy moteve, Mynih 1967, që përmbanin variante të rishikuara të një numri vjershash nga Kânga e vërrinit, u ribotuan në librin Poezi 1953-1967, Mynih 1981.
Poezia e periudhës së pjekurisë së Camajt dëshmon për ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Xhuzepe Ungareti (Giuseppe Ungaretti, 1888-1970). Me kalimin e kohës erdhi duke u shtuar karakteri metaforik dhe simbolik i gjuhës si dhe gama tematike e poezisë. Një përmbledhje vjershash të zgjedhura i është përkthyer italisht nga Françesko Solano në një botim dygjuhësh Martin Camaj – Poesie, Palermo 1985 (Poezi), anglisht nga Leonard Fox, Selected Poetry, Nju Jork 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch, Gedichte, Mynih 1991 (Poezi). Romani Rrathë, Mynih 1978, është cilësuar si i pari roman psikologjik në gjuhën shqipe. Është vepra më e gjatë e autorit në prozë që i mori pesëmbëdhjetë vjet punë për ta shkruar. Agroni, shkrimtar dhe agronom në ‘Arbërinë’ pasrevolucionare, dërgohet në fshatin Ripa e Mesme për të njoftuar për mbërritjen e disa traktorëve të rinj. Këtu e magjeps malësia e veriut pas shpëtimit të bareshës së bukur Sose, personifikim i zanave të malit. ‘Rrathët’ e ujit, zjarrit dhe gjakut, me të cilët ndahet romani, simbolizojnë jo vetëm shtrëngesat metafizike e sociale, por edhe rrugën e shkrimtarit nëpër trashëgiminë mitike të së kaluarës së Shqipërisë drejt një të ardhmeje të re. Ndër botimet e tjera letrare të Camajt janë një vëllim me vjersha me titullin Njeriu më vete e me tjerë, Mynih 1978; Dranja, Mynih 1981, përmbledhje madrigalesh, siç i quan autori; Shkundullima, Mynih 1981, përmbledhje me pesë tregime dhe një pjesë teatrale; dhe romani Karpa, Romë 1987, me subjekt të vendosur në brigjet e lumit Drin në vitin 2338, prozë e gjatë që Camaj e ka pëlqyer ta quajë parabolë.
Temat më të zakonshme në veprën e Camajt janë humbja e traditës, vetmia në një botë në ndryshim e sipër dhe kërkimi i prejardhjes.
Vdiq më më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.