Home » Studenti Online » Dega Gjuhe-Letersi » ZËVENDËSIMI I FJALËVE TË HUAJA ME FJALË SHQIPE

ZËVENDËSIMI I FJALËVE TË HUAJA ME FJALË SHQIPE

Keqpërdorimit të gjuhës shqipe nuk i shpëtojnë edhe fjalët e huaja, të cilat pa ndonjë arsye futen në shkrime të ndryshme. Rastet janë të shpeshta, sidomos kur autorët nuk e dinë se fjalët janë sinonime: e para në gjuhën e huaj dhe e dyta në gjuhën shqipe.

Më poshtë do të gjeni një listë fjalësh të huaja që mund të zëvendësohen me fjalë në gjuhën shqipe:

ABANDONIM, -I, ABANDONOHET, ABANDONOJ, çerdhe fjalësh me temë të huazuar nga gjuhët neolatine. Në vend të tyre në shqipen përdoren fjalët: braktis, braktiset, braktisje, i braktisur.

ABNEGACION,-I, fjalë e stilit libror, me burim nga gjuhët neolatine, zëvendësohet plotësisht me fjalën vetëmohim.

ABONIM, -I, ABONOJ, ABONOHEM, I ABONUAR, çerdhe fjalësh me burim nga gjuhët neolatine, mund të mënjanohen plotësisht nga fjalët shqipe përkatëse: pajtim, pajtoj, pajtohem, i pajtuar; po kështu mund të mënjanohet fjala e huaj ABONAMENT duke përdorur fjalën pajtimtar.

ABORT,-I, ABORTOJ, ABORTAR, terma të fushës së mjekësisë, por që kanë përdorim edhe në gjuhën e folur; mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: dështim, dështoj, dështimore.

ABROGOJ, ABROGOHET, ABROGIM,-I, I ABROGUAR që të tria mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: shfuqizoj, shfuqizohet, shfuqizim, i shfuqizuar.

ABSORBOJ, ABSORBOHET, ABSORBIM,-I, I ABSORBUAR, çerdhe fjalësh e huazuar nga frëngjishtja, mund të mënjanohen të gjitha duke u zëvendësuar me fjalët shqipe përkatëse: thith e përthith, thithet o përthithet, përthithje, i përthithur.

ABUZOJ, ABUZOHET, ABUZIM, -I, fjalë të huazuara nga gjuhët neolatine, kryesisht të stilit libror, duhen mënjanuar në të mirë të fjalëve shqipe përkatëse: shpërdoroj, shpërdorohet, shpërdorim.

ADAPT, ADAPTOJ, ADAPTOHET, ADAPTIM, -I, I ADAPTUESHËM, si çerdhe fjalësh të huazuara nga frëngjishtja, mund të mënjanohen duke përdorur fjalët shqipe përkatëse: i përshtatshëm, përshtat, përshtatet, përshtatje, i përshtatur.

ADIO, pasthirrmë e huazuar nga italishtja, duhet mënjanuar, sepse shqipja ka në vend të saj pasthirrmat e veta, po aq të vlefshme, si: lamtumirë, mirupafshim, mirupjekshim.

ADOPTOJ, ADOPTOHET, ADOPTIM, -I, I ADOPTUAR, E ADOPTUAR si çerdhe fjalësh të huazuara nga frëngjishtja dhe me një shtrirje jo aq të gjerë, mund të mënjanohen duke u bërë vend fjalëve shqipe përkatëse: birësoj, birësohet, birësim, i birësuar, e bijësuar.

AFEKSION, -I, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, mund të mënjanohet duke përdorur fjalët shqipe dashuri, ndjenjë, përzemërsi, sipas rastit afeksion mund të jepet në shqipen edhe me fjalë të tjera, si me zemërngrohtësi, përzemërsi, përmallim.

AFINITET, -I, fjalë me burim nga frëngjishtja, mund të zëvendësohet plotësisht me afri, afri shpirtërore, lidhje afrie.

AFIRMIM,-I, AFIRMOJ, AFIRMOHET, AFIRMATIV, si çerdhe fjalësh me burim nga frëngjishtja, duke qenë se nuk janë edhe të rrënjosura thellë, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: pohim, pohoj, pohohet, pohues. Edhe i afirmuar, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe i njohur, p.sh. shkrimtar ose gazetar i afirmuar, mund të thuhet fare mirë: shkrimtar, gazetar i njohur ose i mirënjohur.

AGJENT,-I, fjalë kryesisht e stilit libror, mund të mënjanohet duke përdorur fjalën shqipe përfaqësues; p.sh. në vend të agjent i Shoqërisë x, mund të thuhet: përfaqësuesi i Shoqërisë x.

AKCENT,-I, fjalë e stilit libror, mund të mënjanohet duke përdorur fjalën shqipe theks ose theksim. Kështu thuhet: theksi i fjalës, theks i huaj, theks i këndshëm.

AKOMA, ndajfolje e gjuhës bisedore, me origjinë nga greqishtja dhe e shtrirë kryesisht në trevat e Jugut, mund të mënjanohet me fjalën shqipe përkatëse: ende. P.sh. Nuk ka dalë ende në pension. Je ende i fortë. Jemi ende në dimër. Në shqipen e moçme, si dhe në të folmet e gegërishtes përdoret në vend të akoma përdoret ndajfolja edhe. Nuk ka ardhur edhe. Duhet ta gërmoj edhe më thellë.

AKORDIM,-I, AKORDOJ, AKORDOHET, si çerdhe fjalësh nga gjuhët neolatine, duke qenë se nuk kanë pasur rrënjosje të thellë, mund të mënjanohen me fjalët shqipe përkatëse: dhënie, jap, i jepet. P.sh. iu dha (dhe jo iu akordua) çmimi x; i jepet (dhe jo i akordohet) çmimi x; i është dhënë (dhe jo i është akorduar) çmimi x. Natyrisht, akordoj në rastet që përdoret si term i muzikës (akordoj violinën) do të mbetet, sepse është rrënjosur dhe ka edhe vështrim ndërkombëtar si term i asaj fushe.

AKOSTOJ, AKOSTOHET, AKOSTIM, -I, si fjalë të huazuara nga italishtja, porse ende jo aq të ngulitura, mund të mënjanohen me fjalët shqipe përkatëse: bregëzoj, bregëzohet, bregëzim. Pra, bregëzohet anija (dhe jo akostohet).

AKS,-I, si term i shkencës dhe i teknikës i huazuar nga frëngjishtja, po edhe jo aq i rrënjosur në ligjërim, mund të mënjanohet me anën e fjalës shqipe bosht. Pra, mund të thuhet: boshti me gunga, boshti i dramës, boshti i motorit etj. Po ashtu, aksi rrugor mund të thuhet shqip udhëkryqi ose kryqëzimi i rrugëve.

AKSIDENT,-I, AKSIDENTAL, AKSIDENTALISHT, mund të mënjanohen duke u bërë vend fjalëve shqipe përkatëse: fatkeqësi (dhe jo aksident), p.sh. fatkeqësi hekurudhore, fatkeqësi në punë; për rastësi (dhe jo aksidental), p.sh. qe një rast i papritur (dhe jo aksidental), ndodhi krejt papritur (aksidentalisht).

AKSION,-I, fjalë e huazuar nga frëngjishtja. Në shumicën e rasteve mund të zëvendësohet me fjalën veprim: veprim i shpejtë, veprimi dramatik, njeri i veprimit. Nuk mund të zëvendësohet kur përdoret si term sportiv dhe si term i financës: aksion bankar, blerje e aksioneve, aksionist etj.

AKT,-I, fjalë e huazuar nga frëngjishtja. Në kuptimin e saj më të përgjithshëm fjala akt mund të zëvendësohet plotësisht me fjalët vepër, veprim, p.sh. veprim prej rrugaçi, vepër kriminale, veprime luftarake. Do të mbetet fjala akt në terminologjinë e veprimtarisë zyrtare: akt noterial, aktet zyrtare, aktet e kongresit, si dhe si term i teatrit: aktet e dramës, të komedisë etj.

AKTIV,-E, AKTIVISHT kanë hyrë nga frëngjishtja. Mund të mënjanohen plotësisht duke përdorur mbiemrin veprues ose i gjallë: rol veprues, njeri i gjallë, vullkan veprues; po ashtu ndajfolja aktivisht mund të mënjanohet nga gjallërisht: lufton gjallërisht, do ta përkrahim gjallërisht.

AKTIVIST,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe veprimtar,-e: veprimtar i dalluar, veprimtar i PD-së, veprimtar i PS-së etj.

AKTIVITET,-I mund të zëvendësohet me fjalën shqipe veprimtari: veprimtari krijuese, veprimtari e gjallë, veprimtari kundër shtetit etj. Por, mesa duket do të mbetet fjala aktivitet si term i disa fushave speciale, si p.sh. aktiviteti radioaktiv, aktiviteti i Diellit, aktiviteti i trurit etj.

AKTUAL,-E, mund të mënjanohet me fjalët shqipe: i tanishëm, i sotëm, i ditës, i ditëve tona. Po kështu, fjala e huaj aktivitet, shpesh mund të mënjanohet me fjalën e sotmja. P. sh. romani pasqyron të sotmen (jo aktualitetin); drama ka për objekt të sotmen e rinisë etj. Edhe aktualisht, si ndajfolje e së njëjtës rrënjë të huazuar, mund të mënjanohet me anën e fjalëve shqipe: sot, tashti, tani ose tashti për tashti, tani për tani, në ditët e sotme a në ditët tona.

AKUMULOJ, AKUMULOHET, AKUMULIM,-I, çerdhe fjalësh me temë të huazuar nga gjuhët neolatine. Në kuptimin e tyre më të përgjithshëm mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: grumbulloj, grumbullohet, grumbullim, i grumbulluar. Por, me gjasë, akumuloj dhe akumulim do të vijojnë të mbeten si huazime të pamënjanueshme në fushën e ekonomisë, si p.sh. fondi i akumulimit, ka akumuluar mjetet e nevojshme financiare etj.

AKUT,-E, fjalë e huazuar nga italishtja, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: i mprehtë ose i ngutshëm, p.sh. problem i mprehtë, çështje e mprehtë, shqetësim i ngutshëm; në ndonjë rast tjetër mund të zëvendësohet me mbiemrin therës, p.sh. dhembje therëse.

ALARM,-I, ALARMOJ, ALARMOHET, I ALARMUAR, të huazuara nga gjuhët neolatine. Në disa përdorime mund të zëvendësohen me fjalë shqipe. P.sh. alarm si term i ushtrisë, prej vitesh ka nisur të mënjanohet nga kushtrim: reparti u zgjua me kushtrim, kushtrim ajror, ngre ushtarët në kushtrim, rast kushtrimi. Në raste të tjera alarmoj dhe i alarmuar mund të mënjanohen me fjalët shqipe shqetësoj, i shqetësuar. Në disa krahina, në vend të fjalës së huazuar alarmoj përdoret fjala shqipe e bukur kushtrimoj: u kushtrimua vendi për luftë kundër armikut.

ALBANOFON,-E mund të thuhet shqip me mbiemrin e përbërë shqipfolës,-e: popullsia arbëreshe shqipfolëse, bashkësi shqipfolëse, ngulim shqipfolës.

ALFABET,-I mund të zëvendësohet me fjalën shqipe abëcë,-ja.

ALIVAN,-I, ALIVANOSEM, I ALIVANOSUR, çerdhe fjalësh popullore, kryesisht të Jugut, me origjinë nga greqishtja. Në vend të tyre mund të përdoren fjalët shqipe përkatëse: të fikët, më bie të fikët, i ra të fikët, i vjen si të fikët.

ALTOPARLANT,-I në letërsinë artistike ka nisur të zëvendësohet me fjalë të reja shqipe, si: fortafolës, lartafolës; me të njëjtin mëtim shqipërues del edhe fjala zëzmadhues,-i.

AMBIENT,-I, fjalë me burim nga italishtja. Po zëvendësohet me sukses nga fjala shqipe mjedis: mjedisi shkollor, mjedis i këndshëm, mjedise sportive etj.

AMBIENTOHEM, mund të mënjanohet nga folja shqipe popullore mësohem, përshtatem.

AMORF,-E, fjalë kryesisht e stilit libror, mund të zëvendësohet me mbiemrat i paformë, i patrajtë.

AMPLIFIKOJ, AMPLIFIKOHET, AMPLIFIKATOR, AMPLIFIKIM,-I, çerdhe fjalësh me burim nga italishtja, mund të mënjanohen me fjalët shqipe përkatëse: përforcoj, përforcohet, përforcues, përforcim. Ndonjëherë amplifikoj mund të jepet edhe me foljet përfryj, stërfryj.

ANALOG,-E, ANALOGJI, ANALOGJIK,-E, ANALOGJIKISHT, mund të jepen me fjalët shqipe përkatëse: i ngjashëm, e ngjashme, ngjashmëri, në mënyrë të ngjashme ose ngjashmërisht.

ANEMI,-A mund të zëvendësohet me fjalën shqipe pagjakësi,-a. po ashtu edhe anemik,-e zëvendësohet me mbiemrin pagjak (i,e).

ANGAZHIM, ANGAZHOJ, ANGAZHOHEM, I ANGAZHUAR, çerdhe fjalësh të huazuara nga frëngjishtja. Mund të mënjanohen me fjalët shqipe përkatëse: zotim, zotohem, marr zotim, i dal për zot, përfshij, ngarkoj etj.

ANGLOFON,-E mund të mënjanohet duke përdorur fjalën shqipe anglishtfolës,-e.

ANOMALI,-A mund të mënjanohet duke përdorur fjalën shqipe çrregullim.

ANTI-, parashtesë me burim nga greqishtja, që përdoret edhe si huazim i rrënjosur: antidemokratik,-e, antidialektik, antiklerikal etj., por ka edhe mjaft hapësirë për zëvendësimin e saj me parashtesën shqipe kundër– me të njëjtin kuptim: kundërajror, kundërtank, kundërshtetëror, kundërgoditje, kundërkushtetues, kundësulm etj. Fjalët me anti-: antibiotik, antibiogramë, antinomi, antipati, antipod etj. do të mbeten në përdorim si të tilla, ato nuk mund të shqipërohen.

ANTIK,-E, ANTIKITET,-i mund të mënjanohen duke përdorur fjalët shqipe: lashtë (i,e), lashtësi,-a.

ANUAR,-I, fjalë e stilit libror, mund të mënjanohet me fjalën shqipe vjetar,-i: vjetari statistikor.

ANULIM,-i, ANULOHET, ANULOJ, mund të mënjanohet duke përdorur fjalët shqipe përkatëse: shfuqizim, shfuqizohet, shfuqizoj.

APARENCË,-A, fjalë e huazuar nga italishtja, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: pamje, pamje e jashtme, dukje.

APASIONOHEM, APASIONUAR (i, E), mund të mënjanohen duke përdorur fjalët shqipe përkatëse: jepem, p.sh. jepem pas muzikës, pas sportit, i dhënë pas lodrave; i dhënë pas muzikës.

APATI,-A, APATIK,-E mund të mënjanohen duke përdorur fjalët shqipe përkatëse: plogështi, pandiesi; plogët (i,e), mpirë (i,e) .

APEL.-I, nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: thirrje.

APLIKOJ, APLIKOHET, APLIKIM,-I mund të mënjanohen me fjalët shqipe përkatëse: zbatoj, zbatohet, zbatim.

APOSTAFAT, ndajfolje e gjuhës së folur, mund të mënjanohet me fjalët shqipe: enkas, nergut: Erdhi enkas për mua. Ia bëra enkas. Mbase e kishin dërguar nergut për këtë lajm.

APROKSIMATIV,-E, APROKSIMATIVISHT, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: i përafërt, përafërsisht, afërsisht.

APROVOJ, APROVOHET, APROVIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: miratoj, miratohet, miratim.

ARBIT/ËR,-RI, ARBITROJ, ARBITRUAR mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: gjyqtar, gjykoj, i gjykuar.

ARTIKULOJ, ARTIKULOHET, ARTIKULIM,-I, si terma të gjuhësisë, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: nyjëtoj, nyjëtohet, nyjëtim.

ARTIKULL,-I, si term i gramatikës është zëvendësuar me fjalën shqipe: nyjë, ndërsa në fushën e së drejtës është zëvendësuar me fjalën nen,-i.

ARREST,-I, ARRESTIM-i, ARRESTOJ, ARRESTUAR (i, E) mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ndalim, paraburgim, ndaloj, paraburgos, ndaluar(i,e), paraburgosur(i,e).

ASIMILOJ, ASIMILOHET, ASIMILIM, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: përvetoj, përvetohet, përvetim. Por nuk mund të zëvendësohen kur është fjala për shkrirje e popujve me njëri-tjetrin: asimilim me dhunë, politikë asimiluese.

ASISTOJ mund të zëvendësohen me togfjalëshat: marr pjesë, jam i pranishëm, marr pjesë.

ASORTIMENT,-I mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: lloj, llojshmëri.

ASPEKT,-I, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: pamje, anë, pikëpamje, vështrim. Por, vijon të përdoret fjala aspekt si term i gramatikës: aspekti i foljeve.

ASTERIKS,-I , mund të zëvendësohen me fjalën shqipe përkatëse: yllth.

ATAK,-U, ATAKOJ, ATAKOHET, I ATAKUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: sulm, goditje, sulmoj, godas, sulmohet, goditet, i sulmuar, i goditur.

ATRIBUT,-I, mund të zëvendësohen me fjalën shqipe përkatëse: cilësi, cilësim, veti, tipar. Në terminologjinë gjuhësore atribut është zëvendësuar me fjalën përcaktor.

AUDITIV,-E, mund të zëvendësohen me fjalën shqipe përkatëse: dëgjimor,-e.

AUREOLË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: brerore.

AUTOKRIKIK,- E, AUTOKRITIK,ë-A mund të zëvendësohen me shqipërimet përkatëse: vetëkritik,-e, vetëkritikë.

AUTOKTON,-E mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: vendës,-e, anas,-e.

AVANCË,-A mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: paradhënie.

AVANCOJ, AVANCIM në fushën ushtarake mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: përparoj, përparim, por avancoj në mjaft raste mund të jepet edhe me foljet eci, rend, vrapo, shkoj përpara.

AVANGARDË,-A mund të zëvendësohet me fjalën shqipe pararojë.

AVANTAZH,-I, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: epërsi, përparësi.

AVASHTë (I, E), AVASHLLëK,-U mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: ngadaltë (i,e), ngadalësi.

AVENIR,-I mund të zëvendësohen me fjalën shqipe: e ardhmja, ardhshmëri.

AZIL,-I mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: shtëpia e pleqve, strehë,-a, strehim. P.sh. strehim politik.

AZHURNOJ, AZHURNOHEM, AZHURNIM, I AZHURNUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: përditësoj, përditësohem, përditësim, i përditësuar.

BALANCË,-A, BALANCOJ, BALANCOHET, I BALANCUAR, çerdhe fjalësh e huazuar nga frëngjishtja. Fjala balancë në kuptimin konkret sa vjen e rrallohet, duke ia lënë vendin fjalës peshore, por në kuptim figurativ ka marrë edhe përdorime që nuk ka të ngjarë të mënjanohen, si: nga anon balanca; është në balancë. Folja balancoj në kuptimin kryesor të saj “bëj të ketë peshë të barabartë në dy anët” ka nisur të zëvendësohet me foljet baraspeshoj ose vë në baraspeshë. Ndërkaq, fjalët balancoj, balancim vijojnë të mbeten në përdorim në fushën e ekonomisë.

BARAZI,-A, fjalë e ligjërimit popullor e më gjerë, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: njëjësi,-a, njënjëshmëri,-a.

BARAZOJ, fjalë e ligjërimit popullor e më gjerë, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: njëjtësoj, njëjësoj, njësoj.

BARRIERË,-A, fjalë e stilit libror. Zëvendësohet me fjalën shqipe pengesë. Në terminologjinë sportive të futbollit zëvendësohet me fjalën mur.

BASEN,-I, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, e zëvendësueshme me fjalën shqipe pellg,-u.

BASTUN,-i zëvendësohet me fjalën shqipe: shkop.

BASHKEKZISTENCË,-A, BASHKEKZISTOJ, mund të mënjanohen me fjalët shqipe: bashkëjetesë, bashkëjetoj.

BEGENI,-A, BEGENIS, BEGENISJE,-A mund të mënjanohet me fjalën shqipe përkatëse: përfillje, përfill.

BILATERAL,-E , mund të mënjanohet me fjalën shqipe dypalësh,-e.

BIOGRAFI,-A, BIOGRAFIK,-E, fjalë që kanë përhapje të gjerë edhe në shumë gjuhë te tjera të botës, gati sa të quhen ndërkombëtare. Megjithatë, në shumë raste mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: jetëshkrim, jetëshkrimor,-e.

BIOND,-E, fjalë e huazuar nga italishtja, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe leshverdhë, flokëverdhë. Në gegërishten edhe kaçabardhë.

BONJAK,-U, BONJAK,-E, fjalë të huazuara nga greqishtja, me shtrirje kryesisht në të folmet e shqipes jugore; mund të zëvendësohen me fjalën shqipe jetim,-e.

BORD,-I, huazim i kohëve të fundit, nga anglishtja; nuk është fjalë ndërkombëtare dhe mund të zëvendësohet me fjalë të barasvlershme me të si: këshill, komision.

BORDERO,-JA, fjalë e huazuar nga frëngjishtja. Mund të zëvendësohet me togfjalëshin e shqipes: listë pagash, libër pagash, listëpagesë.

BORDURË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe buzinë: buzina e trotuarit, – e lulishtes.

BOSH,-E mund të mënjanohet me fjalët shqipe: zbrazët (i,e), lirë (i,e), pazënë (i,e). P.sh.: vend pune i lirë, i pazënë. Ndonjëherë mund të zëvendësohet edhe me kotë (i,e), p.sh.: punë e kotë, fjalë të kota.

BRAKTIS, BRAKTISJE, BRAKTISUR (I,E) mund të mënjanohen me fjalët shqipe përkatëse: shkretoj, shkretim, lënie shkret, shkretuar (i,e), i lënë shkret.

BRAVO!, pasthirrmë e gjuhës bisedore; mund të mënjanohet me fjalën shqipe: të lumtë, ju lumtë.

BRAZDË,-A, fjalë e huazuar nga gjuhët sllave; mund të zëvendësohet me fjalën shqipe hulli,-a.

BRUN,-E, fjalë e huazuar nga italishtja; e zëvendësueshme me fjalët shqipe: zeshkan,-e, i zeshkët.

BRUTAL,-E, BRUTALITET,-I, BRUTALISHT, në shumë raste mund të mënjanohen duke përdorur fjalët: i vrazhdë, i ashpër, i egër; brutalitet mënjanohet me vrazhdësi, ashpërsi, egërsi. Po ashtu brutalisht jepet plotësisht me ndajfoljen ashpërsisht.

BULEVARD,-I, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, mund të zëvendësohet me fjalën shëtitore. Por do të mbetet fjala bulevard në shprehje si: letërsi bulevardesh, gazetë bulevardesh etj. ku ka edhe ngjyresë te caktuar stilistike.

BUQETË,-A, huazim nga frëngjishtja; mund të zëvendësohet me fjalën tufë.

CEDOJ, CEDIM,-I, fjalë të stilit libror, mund të zëvendësohen me fjalët ose togfjalëshat e shqipes: tërhiqem, lëshoj pe, tërheqje, lëshim.

CENTRALIZOJ, CENTRALIZIM,-I, I CENTRALIZUAR, fjalë të huazuara nga gjuhët neolatine, relativisht të ngulitura në gjuhë, por që, në mjaft raste, edhe mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: përqendroj, përqendrim, i përqendruar.

CENTROJ, CENTROHET, CENTRIM,-I, fjalë të huazuara nga gjuhët neolatine, pjesërisht edhe të ngulitura, por që, në jo pak raste mund të mënjanohen nga fjalët shqipe përkatëse: qendërzoj, qendërzohet, qendërzim.

CEREBRAL,-E, term i anatomisë, me prejardhje nga gjuhët neolatine. Mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: trunor,-e.

CERTIFIKATË,-A, fjalë e huazuar nga italishtja, po zëvendësohet me të drejtë me fjalët shqipe: vërtetim, dëshmi.

CIVILIZOJ, CIVILIZOHET, CIVILIZIM,-I, mund të jepen në shqipen me fjalët përkatëse: qytetëroj, qytetërohet, qytetërim.

DAKORD, ndajfolje e ligjërimit libror, me prirje për t’u shtrirë edhe në gjuhën e përditshme. Mund të zëvendësohet me togfjalëshat: jam në një mendje, jam i një mendjeje, jemi në një fjalë, jemi marrë vesh.

DAULL/E,-JA, fjalë popullore me origjinë nga turqishtja, mund të mënjanohet me fjalën shqipe: lodër. P.sh. Po bien lodrat.

DEBOLESË,-A, fjalë e huazuar nga italishtja, përdoret në gjuhën bisedore, mund të mënjanohet me sukses nga fjalët: dobësi, pa fuqi.

DECENTRALIZOJ,DECENTRALIZOHET, DECENTRALIZIM, DECENTRALIZUAR (I,E), janë antonime të fjalës centralizoj etj. Këshillohet të mënjanohen në të mirë të fjalëve shqipe përkatëse: shpërqendroj, shpërqendrohet, shpërqendrim, i shpërqendruar.

DECIDOJ, DECIDOHET, DECIZION,-I, DECIZIV,-E, fjalë të huazuara nga gjuhët neolatine, me prirje për t’u rrënjosur, por që mund edhe të mënjanohen nëpërmjet fjalëve shqipe përkatëse: vendos, vendoset, vendim, vendimtar.

DEDIKOJ, DEDIKOHET, DEDIKIM, -I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: i kushtoj, i kushtohet, kushtim.

DEFINICION,-I, fjalë e huazuar nga italishtja, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: përkufizim.

DEFINITIV,-E, DEFINITIVISHT, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: përfundimtar, përfundimisht.

DEFORMOJ, DEFORMOHET, DEFORMIM,-I, në mjaft raste mund edhe të zëvendësohen me fjalët shqipe, përkat. shformoj, shformohet, shformim, i shformuar. Në kuptim të figurshëm mund të zëvendësohen edhe me fjalët: shtrembëroj, shtrembërohet, shtrembërim, i shtrembëruar ose edhe me : shëmtoj, shëmtohet, i shëmtuar.

DEGJENEROJ, DEGJENEROHET, DEGJENERIM, I DEGJENERUAR, fjalë me prirje për t’u shtrirë e përgjithësuar në gjuhë. Në mjaft raste mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: zvetënoj, zvetënohet, zvetënim, i zvetënuar.

DEKADENCË,-a, mund të mënjanohet duke përdorur sipas rastit fjalët: rënie, tatëpjetë, teposhte, rrokullimë.

DEKADË,-A, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: dhjetëditësh, dhjetëditor, dhjetëvjetësh, dhjetëvjeçar.

DEKOMPOZOJ, DEKOMPOZOHET, DEKOMPOZIM, I DEKOMPOZUAR janë fjalë të huazuara që përdoren edhe si terma në disa fusha, por që, në mjaft raste edhe mund të mënjanohen, duke u zëvendësuar me fjalët: shpërbëj, zhbëj, shpërbëhet, zhbëhet, shpërbërje, zhbërje, i shpërbërë, i zhbërë.

DEKOR,-i, DEKORATIV,-E mund të mënjanohen me fjalën shqipe: zbukurim, zbukurues,-e.

DEKURAJOJ, DEKURAJOHEM, DEKURAJIM, fjalë të huazuara nga frëngjishtja, mjaft të rrënjosura dhe që janë përfshirë ne Fjalorin e sotëm të shqipes, porse aty këshillohet se mund të bëhet një pastrim i pjesshëm, pra të thuhet: shkurajoj, shkurajohem, shkurajim.

DELIKAT,-E, sipas rastit, mund të mënjanohen me fjalët shqipe përkatëse: brishtë (i,e), dobët (i,e).

DEMARSH,-I, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, mund të zëvendësohet me përçapje.

DEMORALIZOJ, DEMORALIZOHEM, DEMORALIZIM, I DEMORALIZUAR, fjalë nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: ligështoj, ligështohem, ligështim, i ligështuar.

DENONCIM,-I, DENONCOJ mund të mënjanohen me fjalët shqipe përkatëse: kallëzim, kallëzoj, kallëzuar (i,e).

DENSITET,-I, nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: dendësi.

DESKRIPTIV,-E, term i huazuar nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: përshkrues.

DESTINACION,-I, fjalë e huazuar nga gjuhët neolatine, e zëvendësueshme me fjalën shqipe: vendi i caktuar, vendmbërritje, drejtim.

DESTINOJ, DESTINOHET, DESTINIM, I DESTINUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: paracaktoj, paracaktohet, paracaktim, i paracaktuar.

DETAJ,-I, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: hollësi, imtësi, vogëlsi.

DETAJOJ, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: përimtoj, stërholloj.

DETAJIM,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: përimtim, stërhollim.

DETERMINOJ, DETERMINOHET, DETERMINIM, I DETERMINUAR, fjalë të huazuara nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: përcaktoj, përcaktohet, përcaktim, i përcaktuar.

DEVIJOJ, DEVIJOHET, DEVIJIM, fjalë të huazuara nga gjuhët neolatine, me prirje që të shtrihen edhe me gjerë: këshillohet që të mënjanohen në të mirë të fjalëve shqipe: shmang, shmanget, shmangie, i shmangur.

DEVOCION,-I, DEVOTSHMËRI,-A, kanë hyrë mjaft thellë në shqipen, por edhe mund të zëvendësohen me fjalët përkatëse: përkushtim, përkushtueshmëri.

DEZILUZION,-I, DEZILUZIONOJ, DEZILUZIONOHET, I DEZILUZIONUAR janë fjalë të huazuara, që këshillohet të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: zhgënjim, zhgënjej, zhgënjehem, i zhgënjyer.

DIABOLIK,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: djallëzor,-e.

DIARRE,-JA, fjalë kryesisht e mjekësisë dhe e ligjërimit libror, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: bark, purthë, bizgë.

DIFERENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: ndryshim, dallim.

DIFUZION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: përhapje.

DILEM/ë,-A mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: mëdyshje.

DIMENSION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: përmasë.

DIREKT, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: drejtpërdrejt.

DISLOKOJ, DISLOKOHET, DISLOKIM, I DISLOKUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: vendos, vendosem, vendosje, i vendosur; përqendroj, përqendrim.

DISONANCë,-A, fjalë e stilit libror, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: mospërputhje, mosbashkëzanim.

DISPONOJ, në kuptimin kryesor mund të zëvendësohet plotësisht me fjalët shqipe: kam, zotëroj, kam në zotërim.

DISPOZICION,-I mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: pritshmëri.

DISPROPORCION,-I, mund të zëvendësohet plotësisht me fjalën shqipe shpërpjesëtim.

DISTANCË,-A, mund të zëvendësohet plotësisht me largësi ose largesë.

DISTILIM,-I, DISTILOJ, DISTILUAR (i,E) mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: pastrim, kullim; patroj, kulloj; pastruar (i,e), kulluar(i,e).

DISTIK,-U, mund të zëvendësohet plotësisht me fjalën shqipe: dyvargësh.

DISHEPULL,-i, fjalë kryesisht e stilit libror, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: ithtar,-e.

DIVERGJENCË,-A, mund të zëvendësohet plotësisht me fjalën : mosmarrëveshje.

DIVORC,-I, mund të zëvendësohet plotësisht me togun fjalët shqipe: ndarje, zgjidhje martese, që pranohet edhe si term juridik.

DIVORC,-I, DIVORCIM, DIVORCOHEM, DIVORCOJ mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ndarje, ndahem, ndaj.

DIVULGATIV,-E, mund të zëvendësohet plotësisht me fjalën shqipe: popullarizues ose shkencor-popullor.

DOMINOJ, DOMINOHET, I DOMINUAR, sipas rastit mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: zotëroj, sundoj; zotërohet, sundohet; i zotëruar, i sunduar.

DUBËL, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, mund të zëvendësohet plotësisht me shqipen dyfish, i dyfishtë.

DUEL,-I, mund të zëvendësohet plotësisht me fjalën shqipe: dyluftim.

DYQAN,-i, ndonëse është fjalë popullore me përdorim të dendur, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: tregtor/e,-ja, shitor/e,-ja.

EDICION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën botim. Në raste të shumta si edicioni i lajmeve, edicioni i sivjetëm i kampionatit etj. mund të mënjanohet fare kjo fjalë, pra të thuhet: lajmet e mëngjesit, të mesditës apo të mbrëmjes, kampionati i sivjetëm etj.

EDITOR,-I, EDITORIAL,-E, mund të zëvendësohen me fjalën botues. Me kuptimin artikull i botuesit, gjithashtu, më mirë se editorial mund te shkojë artikull i botuesit ose kryeartikull. Ky i fundit, në të vërtet, ka qenë përdorur dhe meriton të mbetet edhe më tej me këtë kuptim, pra në vend te fjalës së huaj editorial.

EFEKTIV,-E, EFEKTIVITET, EFEKTIVISHT, fjalë të huazuara nga frëngjishtja. Në vend të efektiv,-e mund të thuhet normalisht i efektshëm, por do të mbetet në kuptime terminologjike si p.sh. ushtar efektiv, vlerë efektive.

Fjala efektivitet mund të zëvendësohet me fjalën frytshmëri ose fuqi vepruese.

EFIÇENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalët: gatishmëri, gjendje pune, ndonjëherë edhe me frytshmëri.

EFIKAS,-E, EFIKASITET,-I, fjalë të huazuara nga frëngjishtja, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: i frytshëm, frytshmëri, efektshmëri.

EKSITOJ, EKSITOHET, EKSITIM, I EKSITUAR, fjalë të huazuara nga gjuhët neolatine. Mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: nxit, ndez, ngacmoj; nxitem, ngacmohem; i nxitur, i ndezur, i ngacmuar.

EKSPERIENCË,-A, zëvendësohet me fjalën e bukur shqipe përvojë.

EKSPERIMENT,-I kur nuk është si term i fizikës, kimisë etj. mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: provë.

EKSPLODON, EKSPLODIM, EKSPLODUES, fjalë që mund të mënjanohen me fjalë të shqipes, përkat. shpërthen, shpërthim, shpërthyes.

EKSPLOZION, EKSPLOZIV,-I, fjalë të huazuara nga frëngjishtja. Mund të zëvendësohen me fjalët shqipe, përkat. plasje, shpërthim; lëndë plasëse.

EKSPOZE,-JA, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: paraqitje, parashtresë, parashtrim.

EKSPRESION,-I, EKSPRESIV,-E, EKSPRESIVITET,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: shprehje, shprehës, shprehësi.

EKSTREM,-I, EKSTREM,-E, EKSTREMITETE,-T, fjalë të huazuara nga frëngjishtja, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: skaj,-i, i skajshëm, ndërsa ekstremitetet si term i mjekësisë, mund të mënjanohet me anë te fjalës shqipe gjymtyrë-t.

EKUACION,-I mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: barazim.

EKUILIBËR,-I, EKUILIBROJ, EKUILIBROHET, I EKUILIBRUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: baraspeshë, drejtpeshim; drejtpeshoj, drejtpeshohet, i drejtpeshuar, i baraspeshuar.

EKUIVALENCË,-A, EKUIVALENT,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: barasvlerë, i barasvlershëm, barasvlerës, njëvlerës.

EKUIVOK,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i dykuptimshëm, i dykuptimtë.

EKZAGJERIM, EKZAGJEROJ, EKZAGJEROHET, I EKZAGJERUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: teprim, zmadhim, teproj, zmadhoj, teprohet, zmadhohet, i tepruar, i zmadhuar.

EKZAKT,-E, EKZAKTËSI, EKZAKTËSISHT, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: i përpiktë, i saktë, përpikëri a përpikmëri, saktësi, saktësisht a përpikmërisht.

EKZEKUTIM,-I, EKZEKUTOJ, EKZEKUTOHET, çerdhe fjalësh me temë të huazuar nga frëngjishtja, shpesh edhe mund të zëvendësohen, si p.sh. ekzekutim me zbatim, ekzekutoj me zbatoj, vë në jetë. Në fushën e muzikës në vend të ekzekutoj mund të përdoret mjaft mirë edhe folja luaj: luan në violinë ose në piano. Po ashtu në sport ekzekutoj mund të zëvendësohet me: gjuaj, bëj, kryej.

EKZEMPLAR,-I, fjalë e huazuar nga frëngjishtja. Mund të zëvendësohet me fjalën kopje, copë kur është fjala për librat.

EKZIGJENCË,-A, EKZIGJENT,-E, fjalë të huazuara nga frëngjishtja. mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: kërkesë, kërkues,-e.

EKZISTENCË,-A, EKZISTOJ, fjalë kryesisht librore, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: qenie, të qenët; jam dhe kam.

ELABORIM, ELABOROJ, ELABOROHET, fjalë të huazuara nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: hartim, përpunim, hartoj, përpunoj, hartohet, përpunohet.

ELBAZE,-JA mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: freskore.

ELEKTORAL,-E, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: zgjedhor,-e, i zgjedhjeve.

ELEKTORAT,-I, mund të mos përdoret fare dhe në vend të saj të thuhet: zgjedhësit.

ELEMENTAR,-E, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: fillor, fillestar, i parë; në disa kuptime mund të mënjanohet me fjalën i thjeshtë.

ELEMINOJ, ELIMINOHEM, ELIMINIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: zhduk, çrrënjos; zhdukem, çrrënjosem; zhdukje, çrrënjosje.

ELOKUENT,-E, fjalë e huazuar nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohet me fjalët e shqipes: i gojës, i fjalës, i shprehur, gojëtar. Në kuptim të figurshëm elokuent mund të jepet edhe me: kuptimplotë, që flet vetë, që nuk ka nevojë per shpjegime.

EMETOJ, EMETOHET, EMETIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: lëshoj, lëshohet, lëshim. Në fushën e financës, emetoj etj. mund të zëvendësohen edhe me fjalët: nxjerr, lëshoj, nxjerrje, lëshim.

EPRUVETË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën provëz.

EROZION,-I, fjalë e huazuar nga gjuhët neolatine, mund të mënjanohet duke përdorur fjalën shqipe: gërryerje.

ESENCË,-A, ESENCIAL,-E, fjalë të huazuara nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: thelb, thelbësor / qenësor.

EUFONI,-A, EUFONIK,-E, terma të gjuhësisë, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: bukurtingëllim, bukurzani, bukurtingëllues, bukurzanor.

EVAKUOJ, EVAKUOHEM, EVAKUIM,-i, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: shpërngul, largoj, shërngulem, largohem, shpërngulje, largim.

EVAPOROJ, EVAPOROHET, EVAPORIM, kanë hyrë nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: avulloj, avullohet, avullim, kthej në avull, kthehet në avull, kthim në avull, të kthyerit në avull.

EVENIMET-I, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, mund të mënjanohet duke përdorur fjalën shqipe: ngjarje, ngjarje me shumë rëndësi, ngjarje e madhe, e jashtëzakonshme etj.

EVENTUAL,-E, EVENTUALISHT, EVENTUALITET,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: i mundshëm, po të duhet, po të jetë e nevojshme, ndërsa eventualitet, mund të jepet me fjalët shqipe: rast, mundësi, e papritur.

EVIDENCË,-A, EVIDENCOJ, EVIDENCIM,-I, përdoren edhe si terma zyrtarë; mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: pasqyrë, porse vijon të përdoret si term ushtarak etj. p.sh.: evidenca ushtarake, nxjerr evidencën etj. Në shprehjen vë në evidencë mund të thuhet: vë në pah, vë në dukje.

EVIDENT,-E, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: i qartë, i dukshëm, që shihet.

EVITOJ, EVITOHET, EVITIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: shmang, mënjanoj, shmanget, mënjanohet, shmangie, mënjanim.

EZAUROJ, EZAUROHET, EZAURIM, fjalë të huazuara nga italishtja, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: shteroj, shterohet, shterim.

FALS,-E, mund të zëvendësohen me fjalën shqipe përkatëse: i gënjeshtërt, i rremë.

FALSIFIKIM,-I, FALSIFIKOJ, FALSIFIKUAR (I, E), në mjaft raste, kur nuk kanë karakter terminologjik të përcaktuar si p.sh. në fushën e kriminalistikës etj. mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: shtrembërim, shtrembëroj, shtrembëruar (i,e).

FARMAK,-U, FARMAKOS, I FARMAKOSUR, fjalë të huazuara nga greqishtja, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: helm, helmoj, i helmuar.

FASADË,-A, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: ballinë, pjesë ballore, parëse.

FEKONDOJ, FEKONDOHET, FEKONDIM, I FEKONDUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: pllenoj, pllenohet, pllenim, i pllenuar.

FENOMEN,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: dukuri.

FILANTROP,-I, FILANTROPI,-A, FILANTROPIK,-E mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: mirëbërës,-i / bamirës,-i, mirëbërësi,-a / bamirësi,-a, mirëbërës,-e / bamirës,-e.

FINAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: i fundit, i fundmë; përfundimtar,-e.

FINISH,-I, term i sportit, huazuar nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: mbërritje.

FIRMË,-A. FIRMOJ, FIRMOS, FIRMOSJE,-A, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: nënshkrim, nënshkruaj. Por, fjala firmë, me kuptimin ndërmarrje, sipërmarrje tregtare mbetet në përdorim si huazim.

FOKUS,-I, FOKUSOJ, FOKUSOHET, FOKUSIM,-I, fjalë që përdoren si huazime kryesisht në fushën e optikës, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: vatër, vatëror, vatërzoj, vatërzim. Me kuptim figurativ mund të zëvendësohen nga fjalët përqendroj, përqendrim.

FONDAMENT,-I, FONDAMENTAL,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: bazë, themel. themelore.

FONDERI,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: shkritore.

FORMACION,-I si term sportiv mund të zëvendësohet me fjalën përbërje.

FRAGMENT,-I, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: copë, pjesë.

FRAGMENTAR,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i copëzuar.

FRAKTURË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: thyerje.

FRANKOFON,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: frëngjishtfolës.

FREKUENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: denduri, shpeshtësi.

FREKUENTIM, FREKUENTOJ, FREKUENTOHET, FREKUENTUES,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ndjekje, ndjek, ndiqet, ndjekës.

FRONTAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ballor, ballësor.

FRONTALISHT, mund të zëvendësohet me togfjalëshin: në mënyrë ballësore, ballas.

FRONTESPIC,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ballinë.

FRUTIKULTURË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: pemëtari.

FUNEBËR,-FUNEBRE, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: i përmortshëm, mortar, mortor.

FUNERAL,-I mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: varrim.

FUNKSIONOJ, FUNKSIONIM, mund të kufizohen duke i zëvendësuar me fjalët shqipe përkatëse: punoj, veproj, punë, veprim.

GARANT,-I mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: dorëzanë, dorëzanës.

GARANTOJ mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: siguroj, bëhem dorëzanë.

GARDIAN,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: rojtar,-e, rojë.

GERMË,-A, huazim nga greqishtja, ka shtrirje edhe në gjuhën e folur popullore, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: shkronjë.

GLOB,-I mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: rruzull-i, bot/ë-a, lëmsh,-i.

GLOBAL,-E mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: përgjithsh/ëm,-e (i,-e), tërësor,-e.

GLOSAR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: fjalës.

GRADUAL,-E, GRADUALISHT, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: shkallëzor, shkallë-shkallë, i shkallëshkallshëm; i shkallëzuar, që bëhet shkallë-shkallë.

GRANULOJ, GRANULIM, I GRANULUAR, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: kokrrizoj, kokrrizim, i kokrrizuar.

GRATAÇEL,-I, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: rrokaqiell, qiellgërvishtës.

GRATIS, mund të zëvendësohet me togfjalëshin: pa shpërblim, pa pagesë, falas.

GRAVITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: rëndesë.

GREKOFON,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: greqishtfolës,-e.

GRI, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i hirtë, i përhimtë, i përhimë; po kështu edhe GRIXHO.

GRIMASË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ngërdheshje.

GUSTO,-JA, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: shije.

GJENERATË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: brez, brezni.

GJENEZë,-A mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: zanafillë.

GJERMANOFON,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: gjermanishtfolës.

GJITON,-I, GJITONE,-JA, GJITONI,-A, fjalë të huazuara nga greqishtja, me shtrirje edhe në gjuhën popullore, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: fqinj, fqinje, fqinjësi, fqinjëri.

GJYNAH,-U mund të zëvendësohet me fjalën mëkat,-i.

HAJDUT,-I mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: vjedhës.

HEMISFERë,-A, fjalë kryesisht e stilit shkencor, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: gjysmërruzull,-i.

HEMORRAGJI,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: gjakrrjedhje.

HERMAFRODIT,-E, fjalë kryesisht e stilit shkencor, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: dyseksor, dygjinor.

HEZITOJ, HEZITIM,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ngurroj, ngurrim.

HIBRID,-E, fjalë kryesisht e stilit shkencor, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: kryqëzuar(i,e).

HIç, ndonëse është fjalë popullore, mund të mënjanohet duke përdorur sinonimin e saj shqip: asgjë, aspak. Po ashtu, mund të mënjanohen edhe fjalët e formuara me të, si: hiçgjë, hiçgjëkafshë, hiçgjëkundi, të cilat kanë sinonimet shqipe përkatëse: asgjë, agjëkund(i).

HIDRIK,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ujor,-e.

HIL/E,-JA (HILE,-JA), ndonëse është fjalë popullore dhe me përdorim të dendur, si fjalë e huaj, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: dredhi, bishtni, mashtrim, sherri.

HILEQAR,-E mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: bishtnues, dredhues, dredharak.

HIPOKRIZI,-A, sipas rastit, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: dyfytyrësi, dyfaqësi, shtirësi, laravi.

HIPOTEZë,-A mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: hamendje.

HOMAZH,-i mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: nderim.

HOVARDA, ndonëse është fjalë mjaft popullore, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: dorëlëshuar, bujar.

HUMAN,-E, HUMANITAR,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: njerëzor, i njerëzishëm.

HYZMET,-I, fjalë e ligjërimit bisedor, mund të zëvendësohen me fjalën shqipe përkatëse: shërbim. Po ashtu edhe hyzmeqar,-i mund të zëvendësohet me shërbëtor,-i.

IDENTIFIKOJ, IDENTIFIKOHET, IDENTIFIKIM, fjalë me burim nga italishtja, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: njëjtësoj, njëjtësohet, njëjtësim.

IDENTIK,-E, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: i njëjtë, i njëllojtë.

IGRASI,-A, fjalë e huazuar nga greqishtja, me shtrirje edhe në të folmet popullore të Jugut, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: lagështirë, lagështi.

ILAç,-I, sipas rastit, mund të zëvendësohet me sinonimet shqipe përkatëse: bar (mjekësi), zgjidhje, ngushëllim.

ILARITET,-I, fjalë me prejardhje nga frëngjishtja, në mjaft raste mund të zëvendësohet nga fjala shqipe: të qeshura, të qeshura tallëse.

ILUZOR,-E, fjalë e huazuar nga italishtja, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: i rremë, i gënjeshtërt, i kotë.

IMAGJINATë,-A, sipas rastit, kjo fjalë mund të zëvendësohet me sinonimet shqipe përkatëse: përfytyrim, ëndërrim, fantazi.

IMAZH,-I mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: shembëlltyrë.

IMEDIAT,-E, fjalë e huazuar nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: i menjëhershëm, i ngutshëm, i pandërmjetëm, i drejtpërdrejtë.

IMPERATIV,-E, fjalë me prejardhje nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: urdhërues.

IMPLIKOJ, IMPLIKOHEM, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ngatërroj, përziej, kam gisht, kam dorë; ngatërrohem, përzihem.

IMPOZANT,-E, fjalë e huazuar nga frëngjishtja, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: hijerëndë, madhështor.

IMPRESIONOJ, IMPRESIONOHEM, IMPRESIONIM, I IMPRESIONUAR, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe ose togfjalëshat: i lë mbresë, i bëj përshtypje, prekem, hutohem, turbullohem; i mrekulluar, i hutuar, i befasuar këndshëm.

IMPULS,-I, në mjaft raste mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: shtysë, nxitje, hov, vrull.

IMPULSIV,-E, fjalë kryesisht e stilit libror, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: papërmbajtur (i,e), rrëmbyer (i,e).

INAT,-I , INATçi,-ESHë, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: zemërim, mëri, zemërak,-e, zemëruar (i,e).

INAUGUROJ, INAUGUROHET, INAUGURIM, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: përuroj, përurohet, përurim.

INDEKS,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: tregues.

INDIFERENT,-E mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: mënjanës,-e. Po ashtu edhe indiferenc/ë,-a mund të zëvendësohet me fjalën e re: mënjanësi.

INDIGJEN,-E, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: anas, rrënjës, vendës.

INDINJATË, INDINJOJ, INDINJOHEM, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: zemërim /zemëratë, zemëroj, zemërohem.

INDIPENENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: pavarësi.

INDIPENDENT,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i pavarur.

INDIREKT, ndajf. mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: tërthorazi, në mënyrë të tërthortë.

INDIREKT,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i tërthortë.

INFLUENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ndikim.

INFLUENCOJ, INFLUENCOHEM, I INFLUENCUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ndikoj, ndikohem, i ndikuar.

INICIATIVË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: nismë.

INJORANCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: padituri, padije.

INJORANT,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i paditur, i padijshëm.

INKASOJ, INKASIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: arkëtoj, arkëtim.

INKURAJOJ, INKURAJOHEM, INKURAJIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: trimëroj, i jap zemër, nxit, përkrah; trimërohem, marr zemër, nxitem; trimërim, përkrahje, nxitje.

INSISTOJ, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ngulmoj ose me togfjalëshin: ngul këmbë. Ka filluar të përdoret edhe fjala e përbëre: këmbëngul.

INSKENOJ, INSKENIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: vë në skenë, vënie në skenë.

INSPIROJ, INSPIROHEM, INSPIRIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: frymëzoj, frymëzohem, frymëzim.

INSTRUMENT,-I, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: mjet, vegël.

INSUFICIENCË,-A, term i mjekësisë, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: pamjaftueshmëri.

INTERNACIONAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ndërkombëtar.

INTERURBAN,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ndërqytetës.

INTERVAL,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ndërkohë.

INTERVENOJ, INTERVENIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ndërhyj, ndërhyrje.

INTOKSIKOJ, INTOKSIKOHEM, INTOKSIKIM,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: helmoj, helmohem, helmim.

IRRITOJ, IRRITOHET, IRRITIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: acaroj, acarohem, acarim.

ITINERAR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: rrugëtim.

IZOLIM,-I, IZOLOJ, IZOLUAR (I,E), IZOLUES,-E mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: veçim, veçoj, veçuar (i,e), veçues,-e.

JASTëK,-U, fjalë popullore me zanafillë nga turqishtja, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: nënkresë, përkresë.

JATAK,-U mund të zëvendësohen me fjalën shqipe përkatëse: shtrat,-i.

JESHIL,-E, JESHILIM,-I, JESHILOHET, JESHILON mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: gjelbër(i,e), gjelbërim, gjelbërohet, gjelbëron.

JOLEGAL,-E mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: jashtëligjsh/ëm,-e, paligjsh/ëm,-e.

JURISPRUDENCë,-A mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: drejtësi.

JUSTIFIKOJ, JUSTIFIKOHEM, JUSTIFIKIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: përligj, shfajësoj, përligjem, shfajësohem, përligjje, shfajësim.

KANDAR,-I mund të zëvendësohen me fjalën shqipe përkatëse: peshore.

KAKOFONI,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: keqtingëllim.

KAKTUS,-I mund të zëvendësohen me emërtimin shqip përkatës: fik deti.

KALA,-JA, fjalë e përdorshme në popull, por si huazim nga turqishtja, mund të zëvendësohet me sinonimin kështjellë.

KALCIFIKIM, KALCIFIKOHET, KALCIFIKUAR (I, E ), fjalë kryesisht të stilit shkencor e libror, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: gëlqerëzim, gëlqerëzohet, gëlqerëzuar (i,e).

KALIGRAFI,-A mund të zëvendësohen me fjalën shqipe përkatëse: bukurshkrim.

KALKULOJ, KALKULOHET, KALKULIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: njehsoj, njehsohet, njehsim.

KAPITULL,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: krye,-kreu.

KAPITULLIM,-I, KAPITULLOJ mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: dorëzim, dorëzohem.

KAPRIÇO,-JA, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: tekë, trill.

KAPRIÇOZ,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: tekanjoz, me trille, me teka.

KARDINAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: kryesor, thelbësor, qendror.

KARSHI, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: kundrejt, përballë, ndaj.

KASAP,-I, KASAPHANë,-A mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: therës (bagëtish), mishtar; thertor/e,-ja.

KASË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: arkë.

KASKADË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ujëvarë.

KASHAI,-A, KASHAIS, KASHAISJE,-A mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: krehje, kreh (kalin).

KATARAKT,-I mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ujëvarë.

KATED/ëR,-A mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: foltore.

KATEDRAL/E,-JA mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: kryekishë.

KATEGORIK,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i prerë.

KAUZAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: shkakore, shkakësore.

KAUZË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: çështje.

KAVALERI,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: kalorësi.

KOAGULON, KOAGULOHET, KOAGULIM, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: mpiks, mpikset, mpiksje.

KOINCIDENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: përkim, përputhje.

KOINCIDON, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: përkon, përputhet.

KOLONË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: shtyllë. Por, fjala kolonë mbetet si term i ushtrisë: kolona e pestë, kolonë ushtarësh, njëshkolonë.

KOMPLIKOJ, KOMPLIKOHET, KOMPLIKIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ndërlikoj, ngatërroj, koklavit; ndërlikohet, ngatërrohet, koklavitet; ndërlikim, ngatërrim, koklavitje.

KOMPONENT,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: përbërës, pjesë përbërëse.

KOMPRIMOJ, KOMPRIMOHET, KOMPRIMIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ngjesh, ngjishet, ngjeshje.

KOMUNIKOJ, KOMUNIKOHET, KOMUNIKIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: njoftoj, kumtoj,bëj me dije, njoftohet, kumtohet, bëhet e ditur, njoftim, kumtim.

KOMUNITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: bashkësi.

KONCENTROJ, KONCENTROHET, KONCENTRIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: përqendroj, përqendrohet, përqendrim.

KONCIZ,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i ngjeshur, i thukët.

KONCIZITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: thuktësi.

KONDICIONOJ, KONDICIONOHET, KONDICIONIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: kushtëzoj, kushtëzohet, kushtëzim.

KONDITË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: kusht.

KONDUKTOR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: shoqërues.

KONFIDENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: mirëbesim.

KONFIRMOJ, KONFIRMOHET, KONFIRMIM,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ripohoj, ripohohet, ripohim; vërtetoj, vërtetohet, vërtetim.

KONFONDOJ, KONFONDOHEM, KONFONDIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ngatërroj, ngatërrohem, ngatërrim.

KONFORM parafj. mund të zëvendësohet me togfjalëshin shqip përkatës: në përputhje me, në pajtim me.   

KONFRONTOJ, KONFRONTOHEM, KONFRONTIM,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ballafaqoj, përqas, ballafaqohem, përqasem; ballafaqim, përqasje.

KONFUZ,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i pështjelluar, i turbullt, i ngatërruar.

KONKAV,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i lugët.

KONKLUDOJ, KONKLUDOHET, KONKLUDIM,-I, KONKLUZION,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: përfundoj, përfundohet, përfundim.

KONSENSUS,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: bashkëpëlqim, të marrët vesh.

KONSIDEROJ, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: e quaj, e vështroj.

KONSISTON, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: qëndron.

KONSTATOJ, KONSTATOHET, KONSTATIM,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: vë në dukje, vërej, diktoj, zbuloj, vërtetoj.

KONSULENT,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: këshillues

KONSULTATIV,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: këshillimor.

KONSULTOJ, KONSULTOHEM, KONSULTIM,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: këshilloj, këshillohet, këshillim.

KONSULTORE,-JA, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: këshillimore.

KONTAKT,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: takim, lidhje, pjekje.

KONTATOR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: njehsor, matës.

KONTEMPORAN,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: bashkëkohëse, bashkëkohore.

KONTRIBUT,-I, KONTRIBUOJ, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe përkatëse: ndihmesë, ndihmoj, jap ndihmesë.

KONVEKS,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i mysët.

KOORDINOJ, KOORDINOHET, KOORDINIM,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: bashkërendoj, bashkërendohet, bashkërendim.

KORDË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: tejzë. Në muzike, kordë përkthehet me fjalën tel.

KORDIAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: i përzemërt.

KORREKTOJ, KORREKTOHET, KORREKTIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ndreq, ndreqet, ndreqje.

KORRENT,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: rrymë.

KORRESPONDENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: letërkëmbim.

KOSHIENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: ndërgjegje, ndërdije.

KREDIBILITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: besueshmëri.

KUADRAT,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: katror.

KUALITET,-I, KUALITATIV,-E, KUALITATIVISHT, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: cilësi, cilësor, cilësisht.

KUANTITET,-I, KUANTITATIV,-E, KUANTITATIVISHT, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: sasi, sasior, nga ana sasiore.

KUESTIONAR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: pyetësor.

KULMINANT,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: kulmor.

KUNDËROFENSIVË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: kundërmësymje.

KURAJË,-A, KURAJOZ,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: guxim, guximtar.

KURBË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: lakore.

KURIOZ,-E, KURIOZITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përkatëse: kureshtar, kureshtje, kërshëri.

LAVATRIÇE,-JA, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: makinë larëse.

LEGJISLATIV,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe ligjvënës.

LEGJITIM,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i ligjshëm.

LEGJIMITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: ligjshmëri.

LENTE,-JA, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe thjerrëz ose thjerrë.

LIKUIDOJ, LIKUIDOHET, LIKUIDIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: shlyej, zhduk, asgjësoj; shlyhet, zhduket, asgjësohet; shlyerje, zhdukje, asgjësim.

LINGUIST,-I, LINGUISTIKË,-A, mund të zëvendësohen me fjalën shqipe: gjuhëtar, gjuhësi. Por mbetet në fjalët ndërkombëtare që përdoren si terma, si: sociolinguistika, etnolinguistika, psikolinguistika.

LINJË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe vijë.

LITERATURË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe letërsi.

LOKAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: vendor: zgjedhjet vendore, bashkësitë vendore.

LUÇIDOJ, LUÇIDOHET, LUÇIDIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: shkëlqej, i jap shkëlqim, shkëlqen, merr shkëlqim.

MAKSIMAL,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: më i lartë, më i madh.

MANIFESTOJ, MANIFESTOHET, MANIFESTIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: shfaq, shpreh, shfaqet, shprehet, shfaqje, shprehje.

MARSHUTË,-A, ka të njëjtin kuptim si fjala e huazuar itinerar, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: rrugëtim.

MATERNITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: shtëpi e lindjes, spital i lindjes. Për kafshët, mund të përdoret fare mirë pjelltore.

MEDICINË,-A, MEDICINAL,-E, mund të zëvendësohen me fjalët: mjekësi, mjekësor.

MEDIKOLEGAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën: mjekoligjor.

MEGALOMAN,-E, mund të zëvendësohet me fjalën: mendjemadh.

MEMORIE,-A, mund të zëvendësohet me fjalën kujtesë.

MENTALITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën mendësi.

MERKATO-JA, mund të zëvendësohet me fjalën treg, pra, mund të thuhet mjaft mirë: tregu fshatar, tregu i frutave e i perimeve etj. Kohët e fundit, po përdoren edhe trajtat market e minimarket a minimerkat, të cilat janë huazime të panevojshme.

MESKIN,-E, MESKINITET,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: shpirtvogël, shpirtngushtë, shpirtvogëlsi.

MINIMAL,-E, mund të zëvendësohet me togfjalëshin parafjalor: më i ulët, më i pakët.

MIZERIE,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe mjerim.

MOMENT,-I, MOMENTAL,-E, mund të zëvendësohen me fjalët përkatëse: çast, i çastit.

MONST/ËR,-A, MONSTRUOZ,-E, mund të zëvendësohen me fjalët përkatëse: përbindësh, i përbindshëm.

MONUMENT,-I, mund të zëvendësohet me fjalën përmendore. Edhe fjala monumental,-e mund të zëvendësohet me madhështor,-e.

MORTALITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe vdekshmëri.

MULTILATERAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shumëpalësh,-e.

MULTINACIONAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shumëkombësh,-e.

NACIONAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën kombëtar,-e.

NATALITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën lindshmëri.

NEGLIZHENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën pakujdesi. Edhe foljet neglizhoj, neglizhohet, mund të zëvendësohen me togfjalëshat foljorë përkatës: lë pas dore, nuk kam kujdes, nuk i kushtoj kujdes.

NEUTRAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën asnjanës, pra: gjinia asnjanëse, qëndrim asnjanës. Edhe fjala neutralitet,-i mund të zëvendësohet me fjalën shqipe asnjanësi.

NIVEL,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: rrafsh. Po ashtu foljet niveloj, nivelohet, mund të zëvendësohen me rrafshoj, rrafshohet.

NOMAD,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shtegtar.

NOVACION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën risi.

OFENDOJ, OFENDOHET, OFENDIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët përkatëse: fyej, fyhet, fyerje.

OFENSIVË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën mësymje.

OKIELO,-JA, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe mbititull.

OKSIDOJ, OKSIDOHET, OKSIDIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: ndryshk, ndryshket, ndryshkje.

OKTAPOD,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe tetëkëmbësh.

OKULAR,-E, mund të zëvendësohet me fjalën pamor,-e. Por vijon të mbetet në përdorim huazimi okulari si term i optikës: okulari i mikroskopit, okulari i aparatit fotografik.

OKUPACION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën pushtim.

OPORTUN,-E, mund të zëvendësohet me fjalët: i përshtatshëm, i volitshëm.

OPOZICION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: kundërvënie.

ORATOR,-I, ORATORI,-A, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: gojëtar, gojëtari.

ORDINER,-E, mund të zëvendësohet me fjalët: i rëndomtë, i thjeshtë.

ORIENTOJ, ORIENTOHEM, ORIENTIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët përkatëse: drejtoj, drejtohem, drejtim.

ORTOEPI,-A, mund të zëvendësohet me fjalën drejtshqiptim.

ORTOGRAFI,-A, mund të zëvendësohet me fjalën drejtshkrim.

OSHILACION,-I, OSHILON, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: lëkundje, luhatje; lëkundet, luhatet.

OSPITOJ, OSPITIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: vëzhgoj, vëzhgim.

PAKONDICIONUAR (i,e), mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i pakushtëzuar.

PARALEL ndajf. mund të zëvendësohet me fjalën krahas.

PARANTEZË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën kllapë.

PARCELË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën ngastër.

PASOJ, PASOHET, PASIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët kaloj, kalohet, kalim, po sipas rastit edhe me fjalë të tjera, si: përcjell, përcillet, përcjellje.

PASTIÇERI,-IA, mund të zëvendësohet me fjalën ëmbëltore.

PASTORAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: baritor,-e.

PATRIOT,-I, PATRIOTIK,-E, PATRIOTIZËM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: atdhetar, atdhetari, atdhedashuri.

PATRONAZH,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe kujdestari.

PELENË,-A, fjalë e huazuar nga sllavishtja, mund të zëvendësohet me fjalën shpargër.

PENETROJ, PENETRIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: depërtoj, depërtim.

PERFEKT, PERFEKSIONOJ, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: i përsosur, i përkryer, përsos, përkryej.

PERMANENT,-E, fjalë kryesisht librore, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i përhershëm.

PERSEKUTOJ, PERSEKUTOHET, PERSEKUTIM, I PERSEKUTUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: përndjek, përndiqet, përndjekje, i përndjekur.

PERSONAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe vetjak,-e.

PETAL.-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: petël.

PLAZH,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: ranishte.

POLEN,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: pjalm,-i.

POLIEDRIK,-E, fjalë e huazuar nga greqishtja, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: shumëfaqësh.

POSEDOJ, POSEDIM,-I, POSEDUES,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: zotëroj, zotërim, zotërues.

PRECEDENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: përparësi.

PRECIZ,-E, PRECIZION,-I, PRECIZOJ, PRECIZOHET, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: i përpiktë, përpikëri, përpikmëri, përpikësoj, përpikësohet.

PREDISPOZICION,-I, I PREDISPOZUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: prirje, gatishmëri, i gatshëm, i prirur për mirë.

PREDOMINOJ, PREDOMINIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: mbizotëroj, mbisundoj, mbizotërim, mbisundim.

PREFEROJ, PREFEROHEM, PREFERENCË,-A, PREFERIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: parapëlqej, parapëlqehem, parapëlqim.

PREKURSOR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: pararendës.

PREOKUPOJ, PREOKUPOHEM, PREOKUPIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: shqetësoj,merakos, bëj merak; shqetësohem, merakosem, shqetësim, merakosje.

PRESION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: trysni, shtypje.

PREZANTOJ, PREZANTOHEM, PREZANTIM,-I, PREZANTUES,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: paraqit, njoh me; paraqitem, njihem me; njohje, njohës, paraqitës.

PREZENCË,-A, PREZENT,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: prani, i pranishëm, e pranishme.

PRIMAR,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: parësor, i dorës së parë.

PRINCIP,-I, PRINCIPIAL,-E, PRINCIPIALITET,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: parim, parimor, parimorësi ose parimësi.

PRIORITET,-I, PRIORITAR,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: përparësi, përparësor.

PRIVOJ, PRIVOHEM, PRIVIM, I PRIVUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: i heq (të drejtën që i takon), e lë pa -, heq; zhvishem; heqje; i zhveshur.

PROBABËL, PROBABILITET,-I, fjalë të huazuara nga frëngjishtja, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: i gjasshëm, i mundshëm, gjasë, mundësi, të ngjarë.

PROCEDURË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: ecuri.

PRODUKTIV,-E, PRODUKTIVITET,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: prodhues, prodhimtar; prodhimtari.

PROFANOJ, PROFANOHET, PROFANIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: përdhos, përdhoset, përdhosje.

PROGRES,-I, PROGRESIST,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: përparim, përparimtar.

PROKLAMOJ, PROKLAMOHET, PROKLAMIM,-I, PROKLAMATË,-A, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: shpall, shpallet, shpallje.

PROMEMORIE,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: përkujtesë.

PRONONCOJ, PRONONCOHEM, PRONONCIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: shqiptoj, shqiptohem, shqiptim; por prononcohem mund të ketë edhe kuptimin shprehem.

PROPORCION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: përpjesëtim.

PROVIZOR,-E, PROVIZORISHT, mund të zëvendësohen me fjalën shqipe: i përkohshëm, përkohësisht.

PUBLIKOJ, PUBLIKOHET, PUBLIKIM,-I, I PUBLIKUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: botoj, botohet, botim, i botuar.

PURO mb. mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: i pastër, i thjeshtë, i kulluar.

RACIONAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i arsyeshëm.

RADIKAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: rrënjësor.

RADIKALISHT, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: rrënjësisht.

RAFINOJ, RAFINOHET, I RAFINUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: stërholloj, stërhollohet, i stërholluar.

REALIZOJ, REALIZOHET, REALIZIM, I REALIZUESHËM, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: plotësoj, përmbush, kryej; plotësohet, përmbushet, kryhet; plotësim, përmbushje, kryerje.

RECIPROK,-E, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: i ndërsjellë, i dyanshëm, i shoqishoqmë.

RECIPROCITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën e re shqipe: ndërsjellësi.

REFLEKTOJ, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: pasqyroj, rimendoj.

REFUZOJ, REFUZOHET, REFUZIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: nuk pranoj, hedh poshtë, kundërshtoj; nuk pranohet, hidhet poshtë, kundërshtohet, kundërshtim, mospranim.

REKOMANDE mb. mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i porositur.

REPLIKË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: kundërpërgjigje.

REPRESION,-I, REPRESIV,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: shtypje, shtypje me dhunë; shtypës, dhunues.

REPERKUSION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: pasojë, rrjedhojë.  

RESPEKT,-I, RESPEKTOJ, RESPEKTOHEM, I RESPEKTUAR, mb. mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: nderim, nderoj, nderohem, i nderuar.

RETROSPEKTIV,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: prapavështrues.

REZERVUAR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: ujëmbledhës.

REZULTAT,-I, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: përfundim, rrjedhim.

REZULTON jokal. mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: del.

RIGË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: vizore.

RIGOROZ,-E, RIGOROZITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i rreptë, rreptësi.

RURAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: fshatar, fshatarak.

SAKRIFIKOJ, SAKRIFIKOHEM, SAKRIFIKIM, I SAKRIFIKUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: flijoj, therorizoj, flijohet, therorizohet, flijim, therorizim, i flijuar, i therorizuar.

SATISFAKSION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: kënaqësi, shpagim.

SAVANT,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i ditur, mendjendritur, me dije të gjera.

SEDILJE,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: ndenjëse.

SEKONDAR,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: dytësor,-e.

SELEKSIONOJ, SELEKSIONOHET, SELEKSIONIM, I SELEKSIONUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: përzgjedh, përzgjidhem, përzgjedhje, i përzgjedhur.

SENS,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: ndjenjë, kah, kuptim.

SENSACION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: ndijim.

SENSACIONAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i bujshëm.

SENSIBËL, SENSIBILITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i ndjeshëm, ndjeshmëri.

SEZON,-I, SEZONAL,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: stinë, stinor.

SINQERTË (i), SINQERITET,-I, SINQERISHT, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe përkatëse: i çiltër, i hapur; çiltërsi, çiltërsisht.

SINJIFIKATIV,-E, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: kuptimplotë, domethënës.

SOCIAL,-E, SOCIALIZOJ, SOCIALIZOHET, SOCIALIZIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: shoqëror, shoqërizoj, shoqërizohet, shoqërizim.

SOLID,-E, SOLIDITET,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: i fortë, i qëndrueshëm, i ngurtë, i shëndoshë.

SPALETË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: supore.

SPEKTAKËL,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: shfaqje.

SPEKTAKOLAR,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: shumë i bukur, i mrekullueshëm.

SPEKTATOR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: shikues.

SPIKER,-I, SPIKERE,-JA, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: folës, folëse.

SPIRITUAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: shpirtëror.

SPONTAN,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i vetvetishëm, i paparapërgatitur.

SPONTANEITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: vetvetishmëri.

SPONTANISHT, mund të zëvendësohet me togfjalëshin shqip: në mënyrë të vetvetishme.

SPORADIK,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i rastësishëm, i rrallë, i veçuar, jo i rëndomtë.

SPOSTOJ, SPOSTOHEM, SPOSTIM, I SPOSTUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: zhvendos, zhvendosem, zhvendosje, i zhvendosur.

STABËL, STABILITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i qëndrueshëm, qëndrueshmëri.

START,-I, STARTOJ, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: nisje, shenja e nisjes; nisem, zë udhë.

STATUJË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: shtatore, trupore.

STERIL,-E, STERILITET,-I, STERILIZOJ, STERILIZOHET, STERILIZIM,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: shterp, shterpë, shterpor, shterpësi, shterpëzoj, shterpëzohet, shterpëzim.

STIMUL,-I, STIMULOJ, STIMULOHET, STIMULIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: nxitje, nxis, nxitet.

STIS, STISJE,-A, I STISUR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: ndërtoj, ngre; ndërtim, ngritje; i ndërtuar, i ngritur.

STONOJ, mund të zëvendësohet me togfjalëshat shqip: nuk shkon, nuk është i përshtatshëm, nuk përshtatet.

SUBSTANCË,-A, SUBSTANCIAL,-E, mund të zëvendësohen me fjalën shqipe: lëndë, thelb.

SUPER, parashtesë e huazuar nga gjuhët neolatine, mund të zëvendësohet me parashtesën shqipe: mbi-, shumë-, stër-. Pra, në vend të fjalëve superprodhim, superpopullim, i superkërkuar etj. mund të thuhet: mbiprodhim, mbipopullim, i shumëkërkuar, i stërkërkuar.

SUPERIOR,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: epror.

SUPERIORITET,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: epërsi.

SUPERSTICION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: besëtytni.

SUPORTOJ, SUPORTOHET, SUPORTIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: përballoj, duroj; përballohet, durohet; përballim, durim.

SUPOZOJ, SUPOZOHET, SUPOZIM,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: dyshoj, besoj, kam hamendje, nënkuptoj.

SUPREM,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i epërm, më i larti.

SUPREMACI,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: epërsi.

SUPRIMOJ, SUPRIMOHET, SUPRIMIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: heq, hiqet, heqje; shkrij, shkrihet, shkrirje.

SURPRIZË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: e papritur.

SURVEJOJ, SURVEJOHET, SURVEJIM,-I, I SURVEJUAR, SURVEJUES, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: mbikqyr, mbikqyret, mbikqyrje, i mbikqyrur, mbikqyrës.

TARACË,-A, TERRACË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: brezare.

TAVOLINË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: tryezë.

TEKSTUAL,-E, TEKSTUALISHT, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: i fjalëpërfjalshëm, fjalë për fjalë, pikë për pikë.

TELESPEKTATOR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: teleshikues.

TEMPULL,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: faltore. Por, në kuptim të figurshëm, përdoret tempull, p.sh. tempulli i dijes.

TENTATIVË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: përpjekje, orvatje.

TERRITOR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: truall.

TERRITORIAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: truallësor.

TETANOS,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: sharrëz.

TOTAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: tërësor, i plotë, i përgjithshëm.

TRANSFORMOJ, TRANSFORMOHET, TRANSFORMIM,-I, I TRANSFORMUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: shndërroj, shndërrohet, shndërrim, i shndërruar.

TRANSMETOJ, TRANSMETOHET, TRANSMETIM, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: kumtoj, përcjell, përçoj.

TRANZITOR,-E, TRANZICION,-I, TRANZITIV,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: kalimtar, periudhë kalimtare, folje kalimtare. Edhe intranzitiv,-e, si term i gramatikës, duhet zëvendësuar me termin jokalimtare.

TRAPEZË,-A, fjalë e huazuar nga greqishtja, mund të zëvendësohet me fjalën tryezë.

TRAVERSË,-A, fjalë e huazuar nga italishtja, mund të zëvendësohet me fjalën tërthorëse ose kryqësore.

TRIUMF,-I, TRIUMFAL,-E, TRIUMFALISHT, TRIUMFOJ, TRIUMFUES,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: ngadhnjim, ngadhnjyes, me ngadhnjim ose ngadhnjimisht, ngadhnjej, ngadhnjimtar etj.

TROMAKS, TROMAKSEM, I TROMAKSUR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: tremb, tmerroj, trembem, tmerrohem, trembje, tmerrim.

TURN,-I, fjalë e huazuar nga italishtja, mund të zëvendësohet me fjalën ndërresë.

TUTELË,-A, TUTOR,-I, TUTORI,-A, fjalë të huazuara nga italishtja, mund të zëvendësohen me fjalët: kujdestari, kujdestar.

UNANIM,-E, UNANIMISHT, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: i njëzëshëm, njëzëri; UNANIMITET,-I, mund të thuhet: me një zë, të gjithë njëzëri.

UNIFIKOJ, UNIFIKOHET, UNIFIKIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: njësoj, njësohet, njësim, po edhe bashkoj, bashkohet, bashkim.

UNIFORM,-E, UNIFORMITET,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: i njëtrajtshëm, e njëtrajtshme, njëtrajtshmëri.

UNILATERAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: i njëanshëm, e njëanshme.

UNIVERS,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe gjithësi,-a.

URBAN,-E, mund të zëvendësohet me fjalët qytetor,-e, qytetës,-e.

URGJENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën ngut (kam ngut, jam për ngut, me shumë ngut).

URGJENT,-E, mund të zëvendësohet me fjalën: i ngutshëm.

URGJENTISHT, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: menjëherë, me shumë ngut.

VEGJETACION,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: bimësi.

VENTILATOR,-I, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe ajrues.

VENTILOJ, VENTILIM,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: ajroj, ajrim.

VERBAL,-E, VERBALISHT, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: gojor, gojarisht, me gojë.

VERIFIKOJ, VERIFIKOHET, VERIFIKIM,-I, I VERIFIKUAR, I PAVERIFIKUAR, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: vërtetësoj, vërtetësohet, vërtetësim, i vërtetësuar, i pavërtetësuar.

VERSË,-A, VERSNIK,-E, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: moshë, moshatar, i një moshe.

VIADUKT,-I, mund të zëvendësohet me fjalët: mbikalim, mbikalesë.

VIGJILENCË,-A, VIGJILENT,-E, VIGJILUES,-E, mund të zëvendësohen me fjalët e shqipes: syhaptësi, syçeltësi, syhapët, syçelët, sypafjetur etj.

VIOLENCË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe dhunë.

VIOLET, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: vjollcë, ngjyrëvjollcë.

VITAL,-E, VITALITET,-I, mund të zëvendësohen me fjalët shqipe: jetësor, jetik; jetësi.

VITIKULTURË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe vreshtari,-a.

VIZION,-I, mund të zëvendësohet me fjalët shqipe: pamje, vështrim.

VIZIONAR,-E, mund të zëvendësohet me fjalë: largpamës, largvështrues.

VIZIV,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe pamor.

VIZUAL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: pamor, i pamjes.

XHENTIL,-E, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: i sjellshëm, i njerëzishëm.

XHENTILESË,-A, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: mirësjellje.

ZHIVË,-A, fjalë me prejardhje nga gjuhët sllave, me prirje edhe për t’u shtrirë në gjuhën e folur popullore, mund të zëvendësohet me fjalën merkur, që përdoret edhe në gjuhë të tjera, si në anglisht, frëngjisht, italisht.