Me hijen time ik në rrugë,
Ajo e sheshtë gjith aq e zezë.
E di saktësisht se ç’mendoj unë,
Pjerrtas më sheh si një të mjerë.
Unë hijen time nuk e njoh,
S’ia di mirësitë e as tradhëtitë,
Nuk di as kur do më lëshojë,
Kur do të më ngarkojë në shpinë.
Një Zot i madh hija më duket
Tek pret me shpirtin tim të ngjallet,
Por pritja është e pafundme,
Me kohë ma morën shpirtin hallet.
Dhe lanë në zgavrën e kraharorit,
Veç mosbesimin dhe egërsinë.
Nga hija ime për fat të keq,
Sot diktatori mund të lindë.
U lind në 2 shtator 1958 në një familje kineastësh. Qysh në fëmijëri ai shquhej për humorin e hollë dhe shpirtin rebel, cilësi këto që do të ridimensionoheshin me kalimin e viteve. Në vitin 1979, në moshën
19-vjeçare, boton poezitë e para në gazetën letrare të kohës “Drita”. Pas mbarimit të studimeve për Gjuhë e Letërsi, punon në organet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në gazetën “Drita” e më pas në revistën “Nëntori”. Gjatë këtyre viteve ai mbetet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të shtypit të kohës, veēanërisht revistës “Hosteni” dhe gazetës “Zëri i Rinisë”, ku përmes penës së tij të hollë trajtoi probleme të mprehta të politikës kulturore dhe tema “tabu” për kohën.
Në vitin 1991 zgjidhet anëtar i këshillit botues të së parës gazetë opozitare në Shqipëri, gazetës “Rilindja Demokratike” dhe në të njëjtën kohë deputet i Partisë Demokratike. Shkrimet e tij të shumta gjatë këtyre viteve në gazetat “Rilindja Demokratike”, “Koha Jonë”, “Aleanca Demokratike”, “Poli i Qendrës”, “AKS”, “Albania” e “Korrieri” apo revistat “Spektër” e “XXL” si dhe fjalimet e mbajtura në parlamentin shqiptar gjatë dy legjislaturave që ai ishte deputet, shkrime e fjalime që kishin postulat kredon e tij “Ka ardhur demokracia dhe ne nuk jemi demokratë, apo nuk ka ardhur ende demokracia për ne demokratët”…, mbeten edhe sot modele të publicistikës dhe oratorisë si për guximin qytetar, thellësinë e mendimit ashtu dhe për forcën e fjalës.
Në vitin 1996, i zhgënjyer largohet përfundimisht nga politika e drejtpërdrejtë dhe vendos të kontribuojë si intelektual, përmes fjalës në shtypin e shkruar. Në 1999 thirret nga kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta, për të punuar si këshilltar pranë tij, detyrë që vazhdon ta ushtrojë dhe më pas në kohën e kryeministrave Pandeli Majko e Fatos Nano. Angazhimet si qytetar, intelektual e publicist, nuk do ta shkëpusin nga letërsia, pasioni i vjetër. Pas botimit të vëllimit të parë me poezi në vitin 1983, “Pas provimeve”, në harkun kohor të 19 viteve, Teodor Keko do të botojë 13 libra. Në vitin 1987 boton vëllimin poetik “Fjala fishkëllen”, në 1990 poezitë “Zemra nuk është këmishë” dhe romanin “Loja”. Një vit më pas vëllimin me tregime e novela “Lajmëtarja e vdekjeve”, në 1994 romanin “Pretenca”, në 1995 romanin “Shënimet e një gruaje”, në 1996 vëlimin poetik “Unë të kam dashur, por…”, në 1997 poemën satirike “E të tjera, e të tjera…” dhe vëllimet me tregime e novela “Prostituta” e “12 shenjtore, një profet dhe disa njerëz”, në 1998 tregimet dhe novelat “Made in Albania” dhe në 2002, po një vëllim të tillë të quajtur “Hollësira fatale”.
Në 20 gusht 2002, ndahet nga jeta pas një sëmundje të rëndë në moshën 44-vjeēare. Deri në fund të jetës ai mbeti një antikonformist, një intelektual me kontribut të veçantë në proceset demokratike të vendit dhe një bohem i papërsëritshëm.