Tiramisuja që ka përgatitur shefja e kuzhinës Living, Linda Fishta ndryshon paksa nga tiramisuja klasike me kafe, por kjo nuk do të thotë që është më pak e shijshme, përkundrazi, në verë me fruta do t’ju pëlqejë më shumë.
Ja receta për 4 gota tiramisu :
- 200gr manaferra
- 250gr Mascarpone
- 8 biskota Savoiardi
- 3 vezë
- 70gr sheqer
- 2 lugë reçel manaferre
Përgatitja:
Salca e manaferrave.
1. Grijmë në blender manaferrat (lëmë disa kokrra për zbukurim) me 30gr sheqer dhe reçelin e manaferrave. Më pas i kullojmë me kullesë për t’iu hequr farat (nuk është e domosdoshme, por thjesht për të pasur një tiramisu më elegante). E lëmë mënjanë.
2. Rrahim të verdhat e vezëve me 40gr sheqer me rrahësen me dorë, shtojmë me lugë Mascaporne-n dhe e përziejmë akoma. E lëmë mënjanë.
3. Rrahim me rrahësin elektrik 3 të bardhat e vezëve deri sa të bëhen si borë e ngrirë. I shtojmë me kujdes te tasi ku kemi përzierjen me maskaporne dhe i përziejmë me spatul, me lëvizje nga poshtë-lart.
Kompozimi i ëmbëlsirës:
4. Hedhim pak nga kremi nëpër tasa, shtojmë copa biskotash të lagura te salca me manaferra, pastaj përsëri
krem, përsëri biskota.
5. E përfundojmë me kremin dhe kokrrat e manaferrave që kishim lënë mënjanë. I lëmë në frigorifer për 3-4 orë që të ftohen dhe më pas mund t’i konsumojmë.