Si të pushojmë kollën në kushtet e shtëpisë
Kolla nuk konsiderohet gjithnjë si problem shëndetësor, megjithëse në disa raste mund të tregojë praninë e problemeve ose infeksionit. Kollitja është një refleks natyror për pastrimin e fytit dhe rrugëve të frymëmarrjes. Nëse kolla nuk largohet brenda pak ditëve, atëherë duhet të shkoni tek mjeku. Trajtimet kundër kollës që realizohen në kushtet e shtëpisë janë përhapur shumë, sidomos për fëmijët, pasi këto trajtime natyrale nuk kanë efekte anësore si medikamentet farmaceutike. E njëjta logjikë qëndron edhe për gratë shtatzëna. Gjatë stinës së dimrit, të gjithë mund të prekemi nga kolla, sidomos fëmijët. Kolla është një reaksion normal ndaj një acarimi që mund ekzistojë në fyt apo në mushkëri. Shumë herë kolla mund të shkaktohet nga ndonjë infeksion në hundë ose në fyt.
Kolla mund të shkaktohet nga infeksionet bakteriale apo virusale, astma, diabeti, ndotja e ajrit, ajri i thatë, ndryshimet e temperaturave etj.
Kolla mund të krijohet edhe me ndezjen e mukozës së fytit dhe të trakesë kur ulet mjaft shumë pragu i inflamacionit, i cili shkakton kollitjen. Madje edhe vetë sekrecioni që krijohet tek ajo ndezje shkakton kollitjen. Ekziston edhe e ashtuquajtura kollë ngacmuese, e cila krijohet për shkak të disa ngacmimeve jashtë trakesë dhe ajo zakonisht është e thatë, pa sekrecion. Kollitja më së shpeshti paraqitet tek ftohja. Ka kohëzgjatje të kufizuar, nga disa ditë deri te dy apo tri javë, por është e pakëndshme, u pengon atyre që kolliten dhe atyre që e dëgjojnë. Po ashtu mund të pengojë edhe gjumin.
Kollitja e vazhdueshme mund të jetë simptomë e “fshehjes” së sëmundjeve. Kolla klasifikohet në akute, kronike, e thatë etj, dhe për shkak se është e shumëllojshme shpeshherë trajtimi i saj përbën një sfidë për mjekët. Në perëndim, kolla kurohet me medikamente të cilat bëjnë të mundur largimin e menjëhershëm të simptomave, pa bërë një analizë të hollësishme se cili ishte shkaku i vërtetë i kësaj kolle.
Sidoqoftë, Mjekësia Tradicionale Kineze e ekzaminon trupin më në detaje.
Në përgjithësi, kolla shkaktohet nga cekuilibri i energjisë së trupit dhe mosqarkullimi i mirë i energjisë chi në mushkëri.
Simptomat shoqëruese të kollës e ndihmojnë Mjekësinë Tradicionale Kineze të identifikojë atë pjesë të trupit ku e ka origjinën kjo kollë.
Për shembull, nëse kolla shoqërohet me të përziera, shkaktari kryesor do të kërkohet tek mëlçia.
Dhimbja në brinjë është gjithashtu një tregues i sëmundjes i lokalizuar në zonën e mëlçisë.
Nëse pacienti ka ndjesinë e të urinuarit gjatë kollitjes, atëherë shkaktari duhet të shqyrtohet në zonën e veshkave.
Simptomat e një kolle të zakonshme tregojnë se origjina e kollës vjen nga mushkëritë.
Në bazë të një shqyrtimi të hollësishëm të kollës, mjekët kinezë japin një sërë kombinimesh për trajtimin e kurimin e kollës ku përfshihen: akupunktura, formulat bimore dhe disa ushqime specifike si mjalti, dardha, kërpudhat etj.
Zakonisht kolla nuk kërcënon shëndetin, por është e bezdisshme, sidomos kur ju lë natën pa gjumë. Kjo çon në lodhje, këputje etj., dobëson sistemin imunitar, duke ju bërë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve. Sot qarkullojnë shumë mënyra për të trajtuar kollën dhe problemet me fytin në kushtet e shtëpisë.
Si ta trajtoni kollën pa ilaçe
– Hani rrush
Rrushi është një frut që ndihmon shumë për të luftuar kollën, pasi rrushi tonifiokon mushkëritë dhe ndihmon në lehtësimin e simptomave të të ftohtit dhe kollës. Një gotë lëng rrushi përziejeni me një lugë mjaltë për të lehtësuar kollën.
-Konsumoni qepë
Përdorimi i qepës së gjallë është një perime shumë e rëndësishme për të luftuar kollën. Këshillohet të pihet lëngu i qepës. Një lugë lëng qepe duhet të përzihet me një lugë mjalt dhe të ruhet për 5 orë përpara konsumimit. Ky është një shurup i shkëlqyer kundër kollës dhe duhet të konsumohet dy here në ditë.
Qepët janë të mira gjithashtu për largimin e sekrecioneve. Merni një qepë mesatare, futeni në blender dhe më pas shtoni lëngun e një limoni dhe një gotë me ujë të zier. Në fund hidhini një lugë mjalt. Ky trajtim përdoret 2-3 herë në ditë për qetësimin e kollës.
Çaj xhenxhefili kundër kollës
Nëse sapo ju ka nisur dhimbja e fytit, apo keni temperaturë dhe kollë duhet të konsumoni çajin me kombinimin xhenxhefil-mjaltë- lëng limoni. Kur jeni me grip apo keni kollë vitamina C është shumë e domosdoshme. Po ashtu edhe elementët e tjera që gjenden tek mjalti ju ndihmojnë për forcimin e sistemit imunitar.
Për ta bërë këtë çaj ju nevojiten—ujë i nxehtë, 1/2 lugë çaji xhenxhefil pudër, mjalt dhe lëng limoni që i shtohet në fund. Konsumojeni këtë çaj dy herë në ditë.
Sipas studimeve të mjekësisë moderne, substancat tek xhenxhefili nxisin djersitjen, ulin temperaturën dhe kthjellojnë mendjen. Konsumi i kësaj bime mund të lehtësojë lodhjen, pafuqishmërinë, eviton anoreksinë, pagjumësinë, dhimbjen e barkut dhe simptoma të tjera. Në stinën e nxehtë të verës pakësohet sekretimi i pështymës dhe i lëngut të stomakut, dhe kjo do të ndikojë tek oreksi. Nëse konsumoni pak xhenxhefil gjatë vaktit, do të keni hapje oreksi.
Xhenxhefili njihet si nga mjekësia kineze ashtu edhe nga ajo perëndimore se ndalon dhimbjen e barkut të shkaktuar nga gastriti, ulçera e stomakut dhe zorrëve. Kur keni probleme me të përzierat, aciditet të lartë në stomak, ndjenjë të shpeshtë urie, mund të konsumoni çaj xhenxhefili (zieni ujin me 50 gramë xhenxhefil) dhe ky çaj mund të eleminojë këto simptoma. Një fjalë tjetër e urtë popullore kineze për këtë bimë është se “nëse përgatisni xhenxhefil në shtëpi, mos u merakosni për sëmundjet e lehta.”
Specialistët këshillojnë gjithashtu lëngun e portokallit dhe të ujit të ngrohtë
Të gjitha frutat janë të këshillueshme veçanërisht mollët, dardhët, agrumet, ananasi, pjeshka dhe pjepri.
Gjithashtu nevojitet ngrënia e perimeve në avull, konsumi i supave dhe proteinave. Evitoni me çdo kusht konsumin e kafesë, produkteve të gatshme dhe të përpunuara, mishin e kuq, sheqerin, turshitë etj. Gjithashtu gjatë ditëve që keni kollë mos hani akullore, dhe mos konsumoni pije me gaz apo lëngje kutish.
Pini sa më shumë ujë të ngrohtë për të pastruar organizmin.
Lëngjet e frutave për parandalimin e kollës
Lëngjet e frutave dhe çajrat e shumëllojshëm me prejardhje bimore japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet. Mjekët rekomandojnë pirjen në sasi të mëdha të këtyre lëngjeve, 2 deri në 3 litra në ditë. Gjithashtu ata këshillojnë që, të sëmurët që kanë kollë, të pinë ujë të ëmbëlsuar me mjaltë. Sipas tyre kjo është një kurë mjaft e mirë për të larguar kollën.
Çaji i lulëkuqes
Një bimë mjaft frytdhënëse në luftën kundër kollës së shkaktuar nga mushkëritë dhe pezmatimi i bronkeve është edhe lulëkuqja. Nga kjo bimë përdoren vetëm petalet e saj. Çaji i lulëkuqes pihet i ëmbëlsuar me mjaltë, sepse ai jo vetëm i jep ëmbëlsi çajit, por ndihmon edhe në përmirësimin e fytit. Petalet e bimës, pasi janë tharë, hidhen në gjysmë gote me ujë. Lihen për 30 minuta dhe nga lëngu i përftuar pihet 1 e treta e masës. Këto çajra shërbejnë edhe në rastet, kur kolla shoqërohet me gëlbazë, pasi e bëjnë më të lehtë nxjerrjen jashtë të saj përmes kollitjes.
Lulja e Blirit
Një tjetër bimë që përdoret kundër kollës është edhe lulja e blirit. Mjekët këshillojnë të pihet tre deri në katër gota me çaj bliri në ditë nga njerëzit që kanë kollë. Efektet do të jenë të menjëhershme.
Fieri i Gurit
Një tjetër mënyrë që përdoret nga mjekësia popullore për largimin e kollës është fieri i gurit. Çaji i përftuar nga fieri pihet çdo mëngjes nga një gotë.
Studimi, çokollata shëron kollën
Një grup shkencëtarësh kanë vërtetuar se çokollata është një ushqim mjaft e mirë kundër disa sëmundjeve. Merita i takon teobrominës, një substancë që ndodhet në farat e kakaos, e cila ka rezultuar se është më efikase se kodeina, një nga qetësuesit më të mëdhenj të kollës kronike. Kjo substancë vepron duke bllokuar aktivitetin e “nervit endacak”, që luan një rol kyç për shkaktimin e kollës. Studiuesit e kanë eksperimentuar substancën në 10 vullnetarë të shëndetshëm, ndërsa një grup tjetër ka marrë një dozë pa këto efekte. Për të vlerësuar efektin, më pas kanë matur nivelin e kapsaikinës, që shërben për të shkaktuar kollën, te grupet e ndryshme. E për të bërë të mundur që vullnetarët që kishin marrë teobrominën, të kolliteshin, është nevojitur një sasi më e madhe kapsaikine në krahasim me të tjerët. “Ky përbërës i çokollatës duket mjaft i mirë ndaj kollës dhe ajo që duhet
nënvizuar është fakti se nuk ka efekte anësore si trajtimet e tjera tipike që janë përdorur deri më sot”, thonë studiuesit.