Bakshishi është më tepër i lidhur me shërbime si restorantet dhe kafenetë, ku përshkruhet si jo i detyrueshëm, por që në vetvete është pothuajse një detyrim. Ja si duhet të veproni në shtete të ndryshme të botës për lënien e bakshishit.
Në SHBA dhe Kanada, si të gjitha të ardhurat e tjera, bakshishi është një e ardhur që taksohet dhe që duhet të deklarohet.
Zakonisht në Kanada, pronarët e bizneseve dhe stafi i tyre nuk merr bakshish dhe nuk ka një sasi. Për shembull prej 10 për qind të faturës, që është e detyrueshme të lihet pas shërbimit.
Në Shtetet e Bashkuara
Lënia e bakshishit është një zakon i përhapur gjerësisht në shoqëri. Përgjithësisht jepet për shërbime si restorantet, në kurset e golfit, në kazino, në hotele, në shpërndarjen e ushqimit, në taksi dhe në sallonet e bukurisë. Për pjesën më të madhe të shekullit XX, marrja e bakshishit ishte një sjellje jo e hijshme për personat që drejtonin apo ishin pjesë e institucioneve. Por në shekullin ku jetojmë, kjo është bërë një domosdoshmëri për të gjitha shërbimet.
Në Kinë
Zakonisht bakshishi nuk ekziston, përjashtim bëjnë Hong-Kongu, Macau dhe Tajvani. Megjithatë në hotelet ku u shërbehet të huajve, bakshishi mund të jetë i lejueshëm.
Në Indi
Lënia e bakshishit nuk është një detyrim i konsumatorit, pavarësisht se kohët e sotme është një praktikë gjerësisht e shpërndarë. Në lokalet e kategorive të mesme, bakshishi nuk është diçka që pritet. Por në ato të shkallës së lartë ai varion nga 10-15 për qind të faturës. Në Indi, bakshishi aplikohet për punët që kanë të bëjnë me shërbimin manual, si për shembull portierët dhe shërbëtorët e hoteleve.
Në Izrael
Bakshishi është diçka që vihet re në bare dhe restorante, varion nga 10-12 për qind.
Në Japoni
Dhënia e bakshishit nuk është pjesë e kulturës së vendit. Japonezët nuk ndihen rehat kur atyre u jepet bakshish, në këtë rast ata ndihen konfuzë, vihen në siklet dhe ka shumë mundësi të refuzojnë.
Në Jordani
Bakshishi është pjesë e kulturës vendase dhe haset gjerësisht në restorante, hotele, taksi, dyqane dhe bare. Nëse jeni një klient i rregull i një lokali, sasia e bakshishit që do të lini pritet të jetë nga 5-36 për qind. Ai quhet “baksheesh” dhe u jepet punëtorëve, me qëllim që të përmirësojnë shërbimin ose si shpërblim për punën e tyre. Për nëpunësit, policët dhe ushtarakët cilësohet si e paligjshme të marrësh bakshish.
Në Malajzi
Lënia e bakshishit nuk është e zakonshme, megjithatë të huajt mund të paguajnë një sasi të vogël parash, sipas dëshirës, sidomos nëse shërbimi ka qenë veçanërisht i mirë. Në restorantet shumë të mira ekziston një taksë prej 6 për qind e vendosur nga qeveria dhe shpesh mund të hasni bashkë me faturën tuaj edhe një shtesë prej 10 për qind për shërbimin.
Në Pakistan
Bakshishi nuk është një normë shoqërore dhe si pasojë nuk është i detyrueshëm në bizneset e vogla. Kur bie fjala për bizneset e shkallës së lartë, siç mund të jenë shërbimet e ushqimit, ndodh që konsumatorët të lënë bakshishe shumë bujare. Këto janë zakonisht nga 5-10 për qind mbi shumën e faturës.
Në Singapor
Bakshishi nuk është shumë i përhapur. Në bare dhe restorante përgjithësisht vihet një shtesë prej 10 për qind që shkon për shërbimin, pavarësisht se nuk i jepet stafit që shërben. Zakonisht bakshishi jepet për taksi dhe në kafene.
Në Korenë Jugore
Lënia e bakshishit nuk është e detyrueshme në restorante, hotele apo taksi. Madje ai cilësohet si veprim shpërqendrues.
Në Tailandë
Një sasi e vogël bakshishi lihet zakonisht në restorante. Të marrësh qindarkat kur ke paguar një faturë të majme, konsiderohet e pasjellshme. Nuk është e detyrueshme një përqindje e caktuar, por ama shihet si një veprim që duhet të bëhet.
Në Turqi,
Bakshishi ka kuptimin e dhuratës, nuk është i detyrueshëm dhe nëpër restorante jepen nga 5-10 për qind. Një bakshish i vogël i lihet portierit, ndërsa shoferët e taksive, nuk presin që t’i lihet ndonjë e hollë.
Në Australi,
Bakshishi nuk është zakon vendas. Minimumi i rrogave atje është zakonisht 15.96 dollarë për orë. Veprimi i lënies së bakshishit në çdo lloj biznesi konsiderohet si jo i zakonshëm. Kazinotë në Australi e ndalojnë bakshishin për stafin e tyre, pasi ai konceptohet si ryshfet.
Në Zelandën e Re
Bakshishi është një zakon i ri që po krijohet kohët e fundit dhe që varion nga 10-15 për qind. Turistët e ardhur nga vende që e kanë shumë të zhvilluar bakshishin si SHBA-ja, e kanë kultivuar këtë veprim në Zelandën e Re. Bakshishi jepet si shpërblim për një shërbim të kryer shumë mirë ose kur dikush ka dëshirë ta dhurojë. Në guidat turistike të Zelandës së Re shkruhet se bakshishi nuk është i detyrueshëm as në bare dhe as në restorante.
Në Kili,
Bakshishi është i përhapur si një sasi 10 për qind nga shuma totale e faturës në bare dhe restorante. Ndonjëherë në faturat që jepen, shënohet edhe sasia e bakshishit e këshillueshme për t’u lënë. Për shoferët e taksive, pavarësisht shërbimit të mirë që japin, bakshishi nuk është i njohur. Në ndalesat e semaforëve gjenden performues artistikë, të cilët zakonisht paguhen me të holla. Por kjo ndodh vetëm nëse u pëlqen shfaqja. Në shërbimin e hotelit nuk praktikohet bakshishi, por rekomandohet për shërbimin e pastrimit pas largimit.
Në Argjentinë
Mund të lini 10 për qind bakshish në bare dhe restorante, kur jeni të kënaqur me shërbimin. Nëse nuk lini asnjë shpërblim, atëherë kjo tregon se jeni larguar shumë i pakënaqur që aty. Shumë restorante gjendet një pagesë e vogël që aplikohet për çdo person në shenjë dhurate për shërbimin. Në Argjentinë bakshishi lihet për personat që shpërndajnë ushqim dhe për ata që mbajnë valixhet në aeroport.
Në Brazil,
10 për qind i shtohet zakonisht faturës suaj në restorante si bakshish. Ju jeni të lirë të mos e paguani këtë shifër, por është i pazakontë si veprim. Në klubet e natës së Brazilit ka filluar të aplikohet 10 për qind bakshish jo vetëm për shërbimin brenda lokalit, por edhe për hyrjen. Bakshishi në Brazil u shkon pronarëve dhe jo personelit.
Në Kolumbi
Jeni të lirë të lini bakshish sa para të dëshironi ose mund të paguani 10 për qind që është i detyrueshëm. Shumicën e herëve pronarët nuk e ndajnë në mënyrë të drejtë sasinë e të ardhurave të fituara nga bakshishi me punonjësit. Prej vendasve pritet që turistët të paguajnë më shumë sesa shuma normale e bakshishit.
Në Belgjikë
Bakshishi nuk ndodh. Në klubet e natës dhe restorante mund të lihen vetëm qindarkat, që rrumbullakosin shumën kryesore.
Në Kroaci
Bakshishi është i përhapur më shumë në restorante, ku lihet nga 3-5 për qind e faturës. Në lokale dhe bare lihen shuma të përafërta me pagesën totale. Nuk është e domosdoshme t’u lini të holla shoferëve të taksive apo parukerëve, por kjo është diçka që mund ta përcaktoni vetë. Në vende turistike si Kroacia dhe Singapori, kini parasysh se bakshishi “mund t’ju hapë shumë dyer” dhe t’ju shërbejë për të lënë një përshtypje të mirë te vendasit.
Në Danimarkë, Finlandë dhe Norvegji
Bakshishi nuk kërkohet dhe nuk është i detyrueshëm. Ai mund të lihet në shenjë mirënjohjeje, vetëm kur shërbimi dhe ushqimi ka qenë shumë i mirë. Në Danimarkë dhe Finlandë, të hollat për shërbimin e kryer mblidhen së bashku me faturën.
Në Francë.
Që prej kohës kur pagesa për shërbimin u bashkua me faturën, bakshishi nuk është një veprim që pritet. Megjithatë në mënyrë rastësore klientët mund të lënë kusurin si shenjë e cilësisë së lartë të shërbimit.
Në Gjermani dhe Austri
Bakshishi nuk është aq i përhapur sa në SHBA, por lihet nga 5-10 për qind në bare dhe restorante. Ndonjëherë shihet edhe në format e rrumbullakosjes së faturës dhe lënies së kusurit. Në Gjermani bakshishi konsiderohet si e ardhur, por nuk taksohet.
Në Greqi
Bakshishi është i përhapur, por jo i detyrueshëm. Zakonisht jepet në formën e disa qindarkave që lihen në tavolinë gjatë kohës kur klienti largohet. Nuk ka ndonjë formulë të caktuar për sasinë që mund të lihet.
Në Islandë
Bakshishi nuk është i zakonshëm dhe nuk pritet nga asnjë person që shërben që t’ia lini.
Në Itali
Bakshishi jepet vetëm si mirënjohje për shërbimin shumë të mirë. Pothuajse në të gjitha lokalet ekziston një çmim për shërbimin, ndaj kamerierët nuk presin ndonjë bakshish.Por nëse ia jepni, nuk e refuzojnë. Nuk është e detyrueshme, por shpesh në bare dhe kafe dëgjohet shprehja “mbaje kusurin”. Zakonisht janë përhapur shumë kavanozat pranë arkave, ku lihen të hollat që cilësohen si të panevojshme, por në disa vende publike si për shembull tualetet, në Itali kjo formë bakshishi është e palejuar.
Në Holandë
Bakshishi nuk është një veprim që pritet të bëhet. Mund të ndodhë që të lihet si rrumbullakosje e shumës së përgjithshme. Në shumicën e restoranteve lihet një enë qelqi ku hidhen bakshishet. Shuma e së cilës ndahet më pas në mënyrë të barabartë mes të gjithë punonjësve.
Në Portugali
Bakshishi është i përhapur në restorante, në taksi, shërbimin e shpërndarjes së ushqimit dhe te personat që rregullojnë defektet në shtëpi. Shuma e lënë është e vogël dhe nuk ka lidhje me ndonjë përqindje.
Në Spanjë
Bakshishi varet nga statusi ekonomik i klientit dhe nga kategoria e restorantit. Në baret dhe bizneset e vogla lihet një sasi e vogël të hollash pas mbarimit të darkës. Nga vitin 2007, ministri spanjoll i Ekonomisë ua hodhi fajin bakshisheve për inflacionin e krijuar në vend.
Në Britaninë e Madhe
Bakshishi nuk është i përhapur në bare dhe klube nate. Në restorante lihet zakonisht 10 për qind e faturës kryesore, që nuk është e detyrueshme, por që është e pazakontë të refuzohet pagesa. Në qytetet e mëdha pritet që për shërbime si taksia dhe parukeritë të jepni bakshish. Ndërsa në qytetet e vogla nuk është e nevojshme.
Në Shqipëri
Bakshishi është shumë i pritur nga çdo lloj shërbimi. Ai është bërë akoma më shumë i përhapur nga të huajt dhe nga emigrantët që kthehen përsëri në Shqipëri. Të lësh një bakshish prej 10 për qind të faturës në restorante është e zakonshme. Sipas këshillave të agjencive të huaja botërore, në Shqipëri portierët, ciceronët dhe shoferët privatë presin me padurim dhënien e bakshishit. Nëse nuk dëshironi të jepni bakshish, atëherë mund t’i dhuroni alkool, pasi do të japë efekt të njëjtë. Nëse vendosni të mos lini fare bakshish, shqiptarët do t’ju përcaktojnë si të pasjellshëm.